Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, ka njoftuar se ka prezantuar Kosovën në sesionin “Small Country, Big Impact: Developing Inclusive Para Sport Initiatives”, në Stamboll.
Emini përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se për një vend të vogël si Kosova, çdo hap përpara kërkon shumë përkushtim, partneritete të forta dhe besim se sporti mund të jetë një mjet i fuqishëm për gjithëpërfshirje dhe ndryshim shoqëror.
“Pavarësisht sfidave të shumta që na shoqërojnë në çdo hap, ne vazhdojmë të dëshmojmë se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një lëvizje paralimpike të denjë për sportistët dhe vendin tonë”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj i plotë:
Në kuadër të European Para Youth Games Legacy Initiative në Stamboll, pata kënaqësinë të prezantoj përvojën e Kosovës në sesionin “Small Country, Big Impact: Developing Inclusive Para Sport Initiatives” para përfaqësuesve të organizatave dhe komiteteve të ndryshme evropiane, ku u diskutua mbi politikat, qeverisjen, financimin dhe zhvillimin e parasportit.
Për një vend të vogël si Kosova, çdo hap përpara kërkon shumë përkushtim, partneritete të forta dhe besim se sporti mund të jetë një mjet i fuqishëm për gjithëpërfshirje dhe ndryshim shoqëror.
Pavarësisht sfidave të shumta që na shoqërojnë në çdo hap, ne vazhdojmë të dëshmojmë se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një lëvizje paralimpike të denjë për sportistët dhe vendin tonë
Faleminderit European Paralympic Committee për mundësinë për të prezantuar rrugëtimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës, i cili me përkushtim dhe këmbëngulje po vazhdon të zhvillojë lëvizjen paralimpike në Kosovë.@