Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj paraqitjes së disa individëve në një protestë të mbajtur në Shqipëri, ku u përdor flamuri i UÇK-së dhe u pretendua se përfaqësoheshin veteranët e luftës.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lidhje me personat që morën pjesë në atë aktivitet dhe se pretendimet se ata flasin në emër të veteranëve janë të pavërteta.
“Ne nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emrin tonë, pasi Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka përfaqësinë e saj në Tiranë”, thuhet në reagim.
Sipas organizatës, nuk ka pasur asnjë bashkërendim me organizatorët apo pjesëmarrësit e protestës dhe asnjë qëndrim i OVL-UÇK-së nuk është përfaqësuar në atë ngjarje.
OVL-UÇK thekson se stema dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo agjenda të përditshme, duke kujtuar se ato përfaqësojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe kontributin e mijëra luftëtarëve për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare, i paguar me gjak dhe i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, thekson organizata.
Në fund të reagimit, OVL-UÇK ka kërkuar që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe ka bërë thirrje që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.