Debatet e fundit në Shqipëri lidhur me rolin, vlerën dhe rëndësinë e influencuesve në shoqëri kanë marrë një vëmendje të madhe publike. Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i talli publikisht ndjekësit dhe krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale, situata u zhvendos në studiot televizive, ku gazetarë dhe personazhe të njohur u përfshinë në përplasje të forta. Ndaj kësaj klime ka reaguar së fundmi edhe influencerja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP”, Efi Dhedhes.
Përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në Instastory, Efi ka shprehur indinjatën e saj për mënyrën se si po trajtohet ky debat, duke theksuar se e gjithë kjo zhurmë po devijon vëmendjen nga problemet reale dhe kauzat e rëndësishme në vend.
Në mesazhin e saj të parë, Efi ka vënë re se si shqiptarët po përçahen për shkak të këtij debati, duke lënë pas dore gjërat që kanë vërtet rëndësi:
“Tani, teksa po shohim çfarë po ndodh jashtë, vërej që ka nisur një debat mes influencerëve. Ne e shohim këtë bashkë, e përjetojmë bashkë si shqiptarë, por arrijmë deri aty sa ta prishim gjithçka tjetër dhe ta harrojmë qëllimin kryesor.”
Ajo ka sqaruar se ky reagim vjen pas mesazheve që ka marrë nga ndjekësit, duke zgjedhur të japë një përgjigje publike për të përcjellë një mesazh të qartë dhe të prerë.
Më tej, duke iu përgjigjur kritikave të gazetarëve nëpër emisione dhe ironisë politike, Efi ka mbrojtur hapur profilin e saj profesional. Ajo u ka kujtuar të gjithëve se angazhimi në rrjetet sociale është një punë nga e cila jetohet dhe se, pavarësisht debateve, ajo është përpjekur gjithmonë të mbështesë kauzat sociale.
“Nuk e di nëse ju të tjerët i lini punët anash ose keni hequr dorë nga ato që bëni, por kjo që po shohim këtu është puna jonë. Të paktën, kjo është puna ime dhe jam munduar, sado pak, të shtyj përpara dhe të fokusohemi te protestat që po ndodhin dhe te kauzat që po ngrihen,” u shpreh ajo.
Në mbyllje të reagimit të saj, Efi ka lëshuar një thirrje të prerë për të gjithë ata që po ushqejnë këtë debat virtual dhe televiziv, duke kërkuar që t’i lënë personazhet e rrjeteve sociale të bëjnë punën e tyre të qetë.
“Por kjo është e pamundur, sepse unë duhet t’i paguaj faturat. Ju që postoni në TikTok dhe ju që rrini e bëni debate televizive për këtë punë, na lini rehat, sepse ne kemi punën tonë për të bërë. Ose, përndryshe, lërini të gjithë punët dhe rrini pa punë, duke e kënaqur njëri-tjetrin me debate.”