Avokatja e familjes Ukella kërkon nga Supremja të mos ndryshojë burgimin e përjetshëm për Edmond Lajçin

Prishtinë | 11 Qer 2026 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Avokatja e familjes së të ndjerës Gjyljeta Ukella, Fehmije Gashi-Bytyqi, ka kërkuar nga Gjykata Supreme e Kosovës që ta refuzojë si të pabazuar ankesën e paraqitur nga mbrojtja e Edmond Lajcit dhe të lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të shqiptuar ndaj tij për vrasjen e bashkëshortes.

Në përgjigjen ndaj ankesës së mbrojtësit të Lajçit, të dorëzuar në Gjykatën Supreme, avokatja Gashi-Bytyqi, në emër të tre fëmijëve, nënës, vëllait dhe motrave të Gjyljeta Ukellës, kërkon që të vërtetohet në tërësi aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, i cili kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

“Ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Edmond Lajçi të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, të vërtetohet në tërësi”, thuhet në përgjigjen e dorëzuar në Supreme, të cilën e ka siguruar Klan Kosova.

Në arsyetimin e saj, avokatja rikujton se Gjykata Themelore në Pejë, më 18 shkurt 2025, e kishte shpallur fajtor Edmond Lajçin për veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Ky vendim më pas ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Sipas përgjigjes në ankesë, mbrojtja e Lajçit para Gjykatës Supreme ka pretenduar se gjatë procedurës ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shqiptim të padrejtë të sanksionit penal.

Megjithatë, avokatja e familjes Ukella i kundërshton në tërësi këto pretendime, duke vlerësuar se ato nuk mbështeten në prova, fakte apo ligj.

“Pretendimet ankimore janë të pabazuara në prova, në fakte dhe në ligj, si dhe paraqesin përpjekje për relativizimin e përgjegjësisë penale të të dënuarit për veprën më të rëndë penale, me pasojë të pakthyeshme – privimin nga jeta të bashkëshortes së tij, të ndjerës Gjyljeta Ukella”, thuhet në përgjigje në ankesë.

Në përgjigje argumentohet se gjykatat e dy instancave më të ulëta kanë trajtuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë të gjitha provat e administruara gjatë procesit gjyqësor dhe se nuk ekzistojnë shkelje të tilla që do të mund të çonin në prishjen e aktgjykimeve.

Po ashtu, familja e viktimës konsideron se ankesa e mbrojtjes synon të zbusë përgjegjësinë penale të të dënuarit, pavarësisht faktit se dy gjykata tashmë kanë konstatuar fajësinë e tij dhe kanë vlerësuar se rrethanat e rastit justifikojnë dënimin maksimal të paraparë me ligj.

Rasti tashmë ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila pritet të vendosë lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e Edmond Lajçit kundër vendimit që e dënoi atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës. Seanca për këtë rast pritet të mbahet më 18 qershor nga ora 10.00.

Të ngjashme