Llapit i troket oferta gjysmë milionë euro, Batatina zbulon se si do t’i përgjigjet

Prishtinë | 16 Qer 2026 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka bërë të ditur se mesfushori i talentuar Elvir Gashijani mund të jetë pranë një transferimi jashtë Kosovës, teksa për lojtarin tashmë kanë nisur negociatat me klube të interesuara.

Në emisionin SportCast, Batatina zbuloi se interesimi më konkret vjen nga Turqia, ndonëse oferta për futbollistin ekzistojnë edhe nga shtete të tjera.

Edhe pse nuk e ka zbuluar emrin e skuadrës së interesuar, Batatina ka thënë se oferta që kanë në dorë është rreth gjysmë milion euro.

“Kemi oferta dhe jemi ën bisedime për Elvir Gashijanin që të transferohet në kampionatin e Turqisë, kemi edhe në shtete tjera por do të thotë opsioni është më i afërt Turqia pasi vitin e kaluar ishim shumë afër bisedimeve për transferimin e Elvirit. Kemi filluar negociatat, unë asnjëherë nuk jam pengesë e lojtarëve që pa marr parasysh se çështja financiare është prioritet, nuk e shoh para çështjes profesionale të lojtarit. Është e vërtetë që është ofertë serioze, një ofertë kur arrin shifrën gjysmë milioni mendoj që nuk është ofertë e vogël. Ky është rasti i Gashijanit mbi gjysmë milioni që nuk diskutohet”, zbuloi Batatina në SportCast.

Sipas kreut të shtabit teknik të Llapit, klubi është i gatshëm të shqyrtojë çdo mundësi që do t’i shërbente zhvillimit profesional të futbollistit, ndërsa bisedimet për transferimin e tij po vazhdojnë.

Nëse marrëveshja finalizohet, transferimi i Gashijanit do të ishte ndër më të mëdhenjtë financiarisht për një futbollist të Superligës së Kosovës.

Të ngjashme