Policia konfiskon armë në Mitrovicë dhe Skenderaj, dy persona hetohen për posedim të paautorizuar

Prishtinë | 16 Qer 2026 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar armë në dy raste të ndara, ndërsa ndaj të dyshuarve janë iniciuar procedura penale për posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të policisë, më 11 qershor 2026, gjatë një pike kontrolli të realizuar nga njësitë policore të Stacionit Policor “Jugu” në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, janë ndaluar dy vetura për kontroll.

“Gjatë kontrollit tek dy personat janë gjetur dy thika (flutur), të cilat janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në një rast tjetër, po ashtu më 11 qershor, në Skenderaj, policia ka ndërmarrë veprime pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar.

“Pas marrjes së informatës për të shtëna armë zjarri në një aheng familjar, policia ka arritur ta identifikojë lokacionin dhe me urdhër të prokurorit është realizuar një kontroll, ku gjatë bastisjes është gjetur një revole me gaz”, njofton policia.

Të dyshuarit në të dy rastet janë shoqëruar në stacionet përkatëse policore dhe janë intervistuar nga hetuesit.

“Me rekomandimin e prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme