Autoriteti Aviacionit Civil kërkon auditim 10 mijë euro nga jashtë, ndonëse auditimi kryhet nga mekanizmat zyrtarë

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti i Aviacionit Civil ka shpallur një tender të pazakontë përmes Agjencisë Qendrore të Prokurimit, me titull “Shërbime të Auditimit të pavarur financiar për nevojat e ACC-së”, në vlerë të parashikuar prej 10 mijë euro.

Ky tender ngre pikëpyetje serioze mbi arsyeshmërinë e shpenzimit të parasë publike, pasi auditimi i Institucioneve Publike në Kosovë, sipas kornizës ligjore në fuqi, mbulohet nga mekanizma të përcaktuar qartë: auditimi i brendshëm, si funksion institucional, dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, si Institucion suprem i auditimit publik.

Në rastin konkret, ACC-ja po kërkon që përmes një kompanie të jashtme të realizojë shërbime auditimi financiar, ndonëse vetë institucionet publike janë të obliguara të kenë mekanizma të kontrollit të brendshëm financiar.

Ligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike e trajton auditimin e brendshëm si pjesë të sistemit të menaxhimit dhe kontrollit brenda sektorit publik.

Më tej, ky ligj parasheh se kontraktimi i një kompanie profesionale për kryerjen e auditimit të brendshëm mund të bëhet vetëm në rrethana të caktuara dhe pas aprovimit të Ministrisë së Financave.

Pikëpyetjet shtohen edhe për faktin se auditimi i jashtëm i institucioneve publike është detyrë e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

ZKA-ja sipas mandatit të saj, auditon menaxhimin e parasë publike dhe raportimin financiar të institucioneve buxhetore.

Prandaj, shpallja e një tenderi të veçantë për auditim financiar nga ACC hap debat nëse ky shpenzim është i domosdoshëm apo paraqet dublim të funksioneve ekzistuese të auditimit.

Të ngjashme