Promovohet libri “Unë jam Majlinda Kelmendi’, në Panairin e Librit Prishtina 2026

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të Panairit të Librit Prishtina 2026 është promovuar libri biografik “Unë jam Majlinda Kelmendi”, me autore Teuta Berisha, i cili sjell për fëmijët rrugëtimin e kampiones olimpike nga fillimet e saj deri te sukseset më të mëdha ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Autorja dhe protagonistja e librit tha se botimi synon të shërbejë si burim frymëzimi për brezat e rinj, duke vënë në pah jo vetëm triumfet e Majlinda Kelmendit, por edhe sfidat, sakrificat dhe përkushtimin që e shoqëruan në rrugën drejt majave të sportit botëror.

“Ky libër pra është një projekt shumë i dashur për mua, për shkak se e kemi sjellë në një dimension tjetër historinë e kampiones tonë olimpike, përshtatur për fëmijët edhe në vetën e parë, qëllim ka qenë që fëmijët të njohin jo vetëm sukseset e triumfet e Majlinda Kelmendit, por edhe sfidat, sakrificat të cilat i ka pasur me arritë deri te suksesi i saj kulminant. Libri përmban mesazhe të ndryshme. Majlinda Kelmendi e ka zhvilluar karrierën e saj bashkë me rritjen e shtetit të Kosovës. Çdo etapë që ka kaluar shteti i Kosovës, ka kaluar edhe Majlinda, që ka bërë përpjekje të shumta edhe ka shërbyer si shembull për ndërkombëtarizimin e sportit, ka shërbyer si suksesi i saj, ka qenë pikënisje që me u përmirësu legjislacioni për sportin në Kosovë edhe me qenë shumë më i lehtë për sportistët e tjerë”, tha Berisha.

Ajo theksoi se Kelmendi kishte pasur oferta nga shtete të ndryshme për t’i përfaqësuar ato, por kishte zgjedhur të garonte për Kosovën.

“Po ashtu, çka kisha dashur me theksuar, është që Majlinda Kelmendin e kanë ftuar shumë shtete të ndryshme me shku edhe me i përfaqësuar ata, po Majlinda si një patriote e vërtetë ka vendosur me garu për Kosovën, pavarësisht kushteve jo ndoshta shumë të mira. Edhe ky do të jetë një mesazh për krejt fëmijët edhe për krejt të rinjtë që dëshirojnë ose që ndoshta mendojnë që karrierën e tyre ose të ardhmen e tyre e mendojnë jashtë Kosovës. Le të jetë si një mesazh që edhe në Kosovë mundeni me bë punë shumë të mira”, tha ajo.

Majlinda Kelmendi tha se, megjithëse nuk është libri i parë i shkruar për të, është hera e parë që po merr pjesë në një ngjarje të tillë promovuese.

“Realisht, ky nuk është libri i parë që është shkruar për Majlinda Kelmendin, po është hera e parë për mua që po e përjetoj një ngjarje të tillë. Jam shumë e lumtur që këtë ditë u gjenda në Kosovë edhe pata mundësi me ardhë, me i taku të gjithë juve, e sidomos fëmijët. Ky libër përmban një pjesë, mund të them ndoshta jo krejt, sepse e kam pasur një karrierë të bujshme 20-vjeçare, mirëpo jemi munduar sa kemi mundur me i përmbledh të gjitha momentet ndoshta mos të them të këqija apo të vështira edhe të bukura që i kam pasur gjatë karrierës. Është një libër që mua më ka pëlqyer shumë, edhe realisht ilustrimi është jashtëzakonisht i mirë, edhe për fëmijë po më duket që është goxha tërheqës, kështu që jam shumë e lumtur që edhe brezat e rinj po kanë mundësi me i pa edhe me i lexu sukseset që unë i kam pasur si sportiste”, tha Kelmendi.

Ajo shtoi se historia e saj dëshmon se edhe nga një vend i vogël mund të arrihen sukseset më të mëdha në sport.

“Karrierën e kam filluar në Kosovë, prej një qyteti të vogël, prej një shteti të vogël të ri, kam arritur me u bëkampione evropiane, botërore edhe olimpike, e pastaj me dominuar për ndoshta gati një dekadë. Kështu që po mendoj që prej këtij libri fëmijët edhe të rinjtë në përgjithësi kanë mundësi me u motivu”, tha Kelmendi.

Të ngjashme