Qarkullimi në sektorin e industrisë në Kosovë ka shënuar rritje prej 5.49 për qind në muajin prill 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të enjten.
Sipas Statistikave Afatshkurtra të Industrisë, rritja më e madhe e qarkullimit është regjistruar në industrinë nxjerrëse (minierat dhe guroret), me 29.96 për qind, pasuar nga furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 7.08 për qind, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave me 5.77 për qind, si dhe industria përpunuese me 4.21 për qind.
Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve në industri ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.13 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.
ASK njofton se fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorin industrial është rritur për 9.62 për qind në baza vjetore. Rritja më e madhe është regjistruar në industrinë nxjerrëse me 17.62 për qind, ndërsa industria përpunuese ka shënuar rritje prej 9.72 për qind. Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar është rritur për 9.53 për qind, kurse sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave për 6.89 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se aktiviteti industrial në vend ka vazhduar trendin e rritjes gjatë muajit prill, i mbështetur kryesisht nga performanca e sektorit nxjerrës dhe e industrisë përpunuese, ndonëse numri i të punësuarve ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me një vit më parë.