Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Komunën e Prishtinës është hapur ekspozita “Sy më sy | Eye to Eye”, e cila sjell rrëfimet dhe përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë përmes artit, fotografisë dhe dokumentimit personal. Ekspozita është realizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Pro Peace Kosovo, me qëllim të ruajtjes së kujtesës, luftimit të stigmës dhe ngritjes së vetëdijes për drejtësinë dhe mbështetjen ndaj të mbijetuarve, raporton Ekonomia Online.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rrëfimet e të mbijetuarve nuk lidhen vetëm me periudhën e luftës, por edhe me vështirësitë e përballura pas saj.
“Këto rrëfime nuk flasin vetëm për periudhën e vështirë të luftës. Ato flasin edhe për vitet pas saj, që për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë kanë qenë po ashtu të vështira, sepse plagës iu shtua heshtja, mosbesimi, gjykimi dhe po ashtu frika për të treguar. Këtu duhet folur edhe për stigmën. Për shumë të mbijetuara dhe të mbijetuar, stigma ka qenë pjesë e rëndë e viteve të pasluftës. Ajo ka jetuar në turpin që u është vënë padrejtësisht mbi supe. Një shoqëri që do drejtësi për personat e dëmtuar gjatë luftës, duhet së pari t’i mësojë ata, t’i shohë me respekt dhe mirënjohje për forcën me të cilën kanë vazhduar jetën. Në këtë drejtim, unë dua të falënderoj Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për këtë ekspozitë, organizatën “Pro Peace”, si dhe për punën e gjatë me të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës. Kjo është punë që bëhet medurim, me besim të fituar ngadalë, me kujdes profesional, por po ashtu edhe me shumë përgjegjësi.
Si Presidente e Republikës së Kosovës, dua të them se personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe pjesë e përgjegjësisë sonë shtetërore. Ata nuk mund të mbeten në skaj të kujdesit, e as të përmenden vetëm në ditë të caktuara. Republika u ka borxh njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet. Siç e dini, zonja Vasfije Krasniqi Goodman dhe zonja Shyhrete Tahiri Sulajmani janë të dërguara të veçanta për këtë çështje”, tha ajo.
Haxhiu bëri thirrje që personat e dhunuar seksualisht të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.
“Tashmë është bërë edhe një njoftim publik që në ambientet e Presidencës funksionon Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarve dhe të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, si një hapësirë e sigurt për dëgjim, këshillim, orientim dhe mbështetje. Me këtë rast shfrytëzoj mundësinë të bëj thirrje që personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Institucionet e Republikës së Kosovës janë shumë të hapura për të dëgjuar kërkesat që ndërlidhen me ndryshimet ligjore, në mënyrë që të ulemi bashkë dhe të shohim se çka mund të bëjmë më shumë e çka mund të bëjmë më tepër. Le të dalim nga kjo ekspozitë me më shumë pyetje për veten, për shikimin tonë dhe për mënyrën se si qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”, u shpreh Haxhiu.
Ambasadori britanez Jonathan Hargrevas tha se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe se trauma nuk ka afat.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i vendosë zërat e të mbijetuarve në qendër të angazhimit tonë global të vazhdueshëm për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, e cila, natyrisht, në mënyrë shumë tragjike dhe të dhimbshme vazhdon të përjetohet anembanë botës në vende të tjera, pikërisht tani, sot.
Çdo i mbijetuar duhet të jetë në gjendje të ketë qasje, nëse dëshiron, në të gjithë gamën e shërbimeve mjekësore dhe juridike, të jetë pjesë e nismave për fuqizimin ekonomik dhe përfshirjen sociale, të kërkojë dhe të gjejë përgjegjësi dhe drejtësi, dhe të trajtohet me respekt dhe dinjitet nga miqtë, familja, komunitetet dhe shoqëria në përgjithësi. E megjithatë, siç po them këtu në Kosovë dhe në shumë vende të tjera pas konfliktit, por edhe në vende ku ka konflikte aktive, stigma mbetet një pengesë e madhe dhe heshtja i izolon të mbijetuarit. Dhe kjo është arsyeja pse, Feride, jam dakord me ju se trauma nuk ka afat. Trauma has no deadline. Sepse derisa të mbijetuarit e Kosovës të ndihen të sigurt duke e ditur se janë pa faj dhe se do të trajtohen me mirësi dhe mbështetje, ata nuk duhet të detyrohen të kërkojnë njohjen e statusit të tyre sipas një afati përfundimtar arbitrar. Puna që kaq shumë njerëz kanë bërë këtu në Kosovë për trajtimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin është e jashtëzakonshme dhe, siç e dimë, shembullore në shumë mënyra në mbarë botën. Çdo gjë, nga themelimi i Komisionit dhe mundësimi i pensioneve të financuara nga shteti, e deri te krijimi i dhomës së parë të sigurt në rajon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, manualet për qasjet e fokusuara te të mbijetuarit, vendimi i prerë i gjykatës që dënon një autor krimi—të gjitha këto të mbështetura nga ju, një shoqëri civile jashtëzakonisht aktive dhe e përkushtuar, si dhe nga liderë të mrekullueshëm në qeveri dhe në sektorin e drejtësisë.
Por ju e dini se mbetet ende shumë për t’u bërë për të siguruar që të mbijetuarit e Kosovës të mbështeten plotësisht në të gjitha kompleksitetet e nevojave dhe të drejtave të tyre”, tha ai.
I pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph, i cili u shpreh se iriset nuk janë thjesht vepra arti, por skanim i syve me të cilët viktimat janë përballur me dhunuesit e tyre.
“Pata mundësinë të shëtitsja pak shkurtimisht për rreth para se të hyja dhe të lexoja disa nga historitë, dhe thjesht duke lexuar disa prej tyre, duhet të them se më la mbresë guximi pas këtyre të mbijetuarve që folën të parët dhe treguan historitë e tyre, duke vënë në lëvizje një proces të tërë. Skanimet e irisit që po shohim këtu, si dhe portretet, nuk janë thjesht vepra arti, por janë skanime të syve dhe portrete të fytyrave që u janë përballur dhunuesve të tyre sy më sy. Dhe ato janë një haraç i gjallë dhe i fuqishëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Ato janë dëshmi dhe kujtesë e vuajtjes në heshtje që këta individë kanë duruar larg fushëbetejës, por gjithashtu janë prekur shumë thellë nga lufta. Çdo iris që shohim këtu është unik, ashtu siç çdo histori është unike. Dhe mendoj se tregimi i historive të të mbijetuarve ka rëndësi. Ndarja e tyre ndihmon në reduktimin e stigmës, si në nivel individual ashtu edhe në atë shoqëror. Siç thuhet atje në një nga tabelat në hyrje të ekspozitës, bëhet fjalë për “rimarrjen e rrëfimit tonë”, tha ai.
Ndërsa, doktoresha Feride Rushiti tha se përmes syve te ekspozuar arrihet të shihet dhimbja, frika dhe guximi i të mbijetuarve.
“Përmes syve të këtyre bebzave të syrit të kësaj ekspozite, ne arrijmë të tregojmë dhimbjen që e shohim te të mbijetuarit e dhunës seksuale. Arrijmë ta shohim edhe forcën, frikën, por edhe guximin. Ndonjëherë arrijmë ta shohim edhe humbjen, edhe këtu desha t’i rikujtoj me dhjetëra viktima të mbijetuar… viktima të cilët e kanë mbijetuar këtë krim, por fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. Pra, humbjen e atyre që s’i kemi sot prezent, por edhe shpresën e atyre që vazhdojnë të luftojnë përkundër sfidave me të cilat ballafaqohen. Prandaj kjo ekspozitë është një ftesë për një dialog të rëndësishëm, një dialog sy me sy me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe me familjarët e tyre. Përmes skanimit të iriseve dhe rrëfimeve personale që mund t’i shihni aty poshtë iriseve, kjo ekspozitë sjell para nesh historinë njerëzore që për shumë vite kanë mbetur të fshehura në heshtje. Çdo sy që shihni këtu bart një histori në vete: një histori mbijetese, një histori dhimbje, një histori force, por edhe një histori që thërret. Në këtë ekspozitë do të shohim edhe portretet e grave dhe burrave që patën guximin e jashtëzakonshëm për të dalë publikisht dhe për ta thyer heshtjen, dhe këtu e dua një duartrokitje për Vasfijen, për Shyhreten dhe për Ramadanin”, u shpreh ajo.
Venesa Sylejmani, vajza e të mbijetuarës Shyhrete Tahiri-Sylejmani tha se shoqëria duhet të fillojë t’i shoh ata përmes një lenteje që nuk i përcakton ata vetëm si viktimë apo si të mbijetuar, por si portën, si ndryshimin për të ardhmen që na nevojitet.
“Unë qëndroj para jush dhe ju shoh përmes syve të një fëmije që dikur ishte i traumatizuar, i heshtur dhe i padëgjuar. Por tani, si një fëmijë që e ka shndërruar dhimbjen, traumën dhe vuajtjen e saj në diçka që nuk është më e heshtur, nuk është më e thyer, por që dëshiron të dëgjohet. Të jem dikush që nuk fshihet nga po ajo kujtesë që dikur e theu, por të shihem pavarësisht stigmës shoqërore dhe kulturore që kemi këtu, e madje edhe jashtë këtu. Si mundemi ne, si shoqëri, si komunitet dhe si shtet, të ndalojmë heshtjen e fëmijëve dhe familjarëve që dëshmuan akte të tilla tmerruese gjatë luftës në Kosovë? Dhe po e shtoj, pikërisht para syve të tyre. Shoqëria duhet të ndalojë së sjelluri sikur sytë e tyre ishin prezentë në atë moment kur ai që e pa këtë akt u thye, u copëtua. Ne duhet të fillojmë t’i shohim ata përmes një lenteje që nuk i përcakton ata vetëm si viktimë apo si të mbijetuar, por si portën, si ndryshimin për të ardhmen që na nevojitet. Familjarët që dëshmuan dhunën seksuale të lidhur me konfliktin gjatë luftës në Kosovë, siç jam edhe unë, janë rruga drejt ndryshimit. Ne duhet t’i lejojmë këta individë të shërohen”, tha ajo.






