Për shkak se nuk ishin përkthyer shkresat e lëndës nga gjuha serbe, me kërkesë të prokurorit Besnik Jakupi është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Valdrin Krivaqa dhe Arxhend Gashi akuzohen për grabitje.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Gëzim Ademi, e bëri të ditur se ky gjykim ka filluar rishtas, për arsye se rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, pasi prokurori Jakupi u ftua që të lexojë aktakuzën, ai kërkoi nga Gjykata që të shtyhet shqyrimi i sotëm, pasi sapo kishte pranuar lëndën dhe pas shikimit të saj, kishte vërejtur se shumica e shkresave të lëndës ishin në gjuhën serbe.
“Janë edhe procesverbalet, edhe urdhëresat, madje edhe aktakuza kur është përkthy në gjuhën shqipe, shihet qartë se një pjesë të provave të propozuara me u administru nuk janë përshkru hiç, janë vetëm në aktakuzën në gjuhën serbe”, tha prokurori Jakupi.
Andaj, pasi që asnjë nga palët nuk e kundërshtuan propozimin e prokurorit Jakupi, gjyqtari Ademi deklaroi se seanca e sotme shtyhet për një datë tjetër.
Të pranishëm në këtë seancë ishin: prokurori Besnik Jakupi, i dëmtuari A.V., me përfaqësuesin e tij, avokatin Betim Shala, si dhe të akuzuarit Krivaqa dhe Gashi, me mbrojtësit e tyre, avokatët Shemsije Asllani dhe Fanol Krasniqi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishinë, me vendimin e datës 9 shkurt 2024, ndaj të akuzuarit Valdrin Krivaqa ka shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 7 vite, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro, ndërsa të akuzuarin Arxhend Gashi e kishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 4 vite, si dhe me gjobë në shumë prej 1 mijë euro. Këtë vendim të Themelores, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar me vendimin e datës 25 prill 2025.
Ndërkaq, Gjykata Supreme, me vendimin e 28 shkurtit 2026, ka anuluar vendimet e Themelores dhe Apelit dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 korrik 2022, Valdrin Krivaqa dhe Arxhend Gashi akuzohen se më 6 gusht 2021, në Prishtinë- në rrugën “B”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete ose për të tjerët, pas një marrëveshjeje paraprake reciproke, së bashku me të miturit F.M., dhe G.I., ( për të cilët ka përfunduar procedura gjyqësore në Departamentin për të Mitur), nën kërcënimin e thikës dhe pistoletës, në hyrje të një objekti banesor, ia kanë grabitur të dëmtuarit- të miturit A.V., një telefon “Iphone ProMax 12” në vlerë rreth 1 mijë e 500 euro, një orë dore “Smart Apple Watch” në vlerë 700 euro dhe një portofol me dokumente, në të cilat kishte pasur para në shumën prej 50 euro.
Në aktakuzë thuhet se së pari, G.I., me mashtrim e ka takuar A.V., në hyrje të objektit, e më pas kanë ardhur anëtarët e tjerë të grupit, ku më pas thuhet se Valdrin Krivaqa në shkallët e ndërtesës së banimit, e ka goditur me shuplakë G.I., e gjithashtu edhe të dëmtuarin A.V. Pastaj, aktakuza thotë se G.I., është larguar, ndërsa F.M., me pistoletë të cilën e mbante të drejtuar drejt A., priste në krye të shkallëve kurse Arxhend Gashi në fund të shkallëve.
Sipas aktakuzës, më pas Valdrin Krivaqa, i cili ishte në mes të shkallëve me një thikë në dorë, duke e kërcënuar ia ka marrë të dëmtuarit gjërat e përmendura, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Prandaj, për këto veprime, në bashkëkryerje Arxhend Gashi dhe Valdrin Krivaqa ngarkohen se kanë kryer veprën penale të “Grabitjes” nga neni 317, par.3 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.