Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka ngritur akuza ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore publike, duke kërkuar hetim për menaxhimin e barnave dhe procedurat e prokurimit në sektorin e shëndetësisë.
Përmes një postimi, Zemaj tha se prej kohësh ka paralajmëruar për, siç u shpreh ai, ndikimin e korrupsionit dhe të grupeve të caktuara farmaceutike në institucionet shëndetësore.
“Prej kohësh kemi ngritur shqetësimet se korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara farmaceutike kanë ushtruar ndikim të madh në Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, e deri te Komiteti Ekzekutiv i Albin Kurtit. Sipas gjendjes aktuale, degradimi dhe keqmenaxhimi në QKUK dhe në spitalet rajonale kanë arritur nivele shqetësuese”, ka shkruar Zemaj.
Ai pretendon se pacientët po përballen me mungesë të barnave, ndërsa ka ngritur edhe dyshime lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa produkteve medicinale që përdoren në institucionet publike shëndetësore.
“Pacientët jo vetëm që përballen me mungesë të barnave për shkak të menaxhimit të dobët, shpërdorimeve ose vjedhjeve të mundshme, por ekzistojnë edhe shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor. Këto çështje kërkojnë hetim të plotë dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të garantohet siguria e pacientëve dhe integriteti i sistemit shëndetësor”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka kritikuar gjithashtu procedurat e prokurimit në shëndetësi, duke përmendur tenderët me një burim dhe çmimet e larta të kontratave.
“Mos të flasim edhe për tenderët njëburimorë dhe çmimet e stërfryera në këto kohë, kur nuk ka mbikëqyrje parlamentare. Kjo qasje s’ka arsyetim, do hetim dhe përgjegjësi”, shtoi Zemaj.