MINTI: Do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka organizuar konferencën “She Rises 2026”, me moton “Gratë në Biznes në Kosovë – një dekadë progres dhe vizion për të ardhmen”, e dedikuar grave ndërmarrëse, ku u theksuan arritjet dhe sfidat e fuqizimit ekonomik të grave në vend, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari Lila, bëri të ditur se për herë të parë në Kosovë, në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse, ndërsa skemat mbështetëse të lansuara do të institucionalizohen dhe zgjerohen për mbështetje financiare dhe profesionale.

Kusari Lila tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e grave në biznes dhe se konferenca synon të sjellë në një vend histori suksesi, pune dhe vizioni.

“Nga nxitja tek kodimi, e cyber security, prej punëtorisë rrobaqepës në një tënd të ngjitur shtëpie, tek vendimet e marra në bordet e korporatave e ndërmarrjeve të tashme e tjera. Numrat sot tregojnë se gratë janë pronare të 18% të bizneseve në Kosovë, krahasuar me 10% në vitin 2017. Vetëm këtë vit, një në tre biznese të reja të regjistruara, ka pronare një grua. Kemi arritur gjithashtu, që 40% e vendeve në bordet e shoqërive aksionare, të mbahen nga gratë, falë hapave të ndërmarrë për të garantuar përfaqësim dhe mundësi të barabarta”.

“Për herë të parë në Kosovë, në Agjencinë e Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të themelohet divizioni për gratë ndërmarrëse. Ndërsa, skemat mbështetëse të lansuara, do të institucionalizohen, do të zgjerohen për mbështetje financiare dhe profesionale për gratë ndërmarrëse. Kemi bërë rrugë të gjatë.Sot jemi bashkë për të dëshmuar, se barazia nuk është destinacioni i një gruaje të vetme, por rrugëtimi i një shoqërie të tërë. Sot përmes konferencës She Rises, ne sjellim në një vend, histori suksesi, pune dhe vizioni.

Do të flasim për politikat që mbështesin gratë ndërmarrëse, për qasjen në financa, për sukseset që frymëzojnë dhe për pengesat që ende duhet t’i kapërcejmë”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Lendita Kastrati nga G7 tha se pavarësisht progresit, potenciali ekonomik i grave vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar në masë të madhe.

“Gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë në vend, por ato përfaqësojnë më pak se 20% të bizneseve të regjistruara në vend. Dhe kjo do të thotë se pjesa më e madhe e potencialit ekonomik të vendit, vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por është çështje e zhvillimit ekonomik të vendit. Prandaj, fuqizimi ekonomik i grave, nuk duhet të shihet vetëm si politikë sociale, por duhet të shihet edhe si politikë e zhvillimit ekonomik të vendit, si investim strategjik. Sepse qëllimi ynë nuk është të flasim vetëm për suksesin e grave, por qëllimi ynë është të krijojmë kushte që sa më shumë gra të kenë sukses”, tha ajo.

Ndërsa, Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave kërkoi që politikat për fuqizimin ekonomik të grave të përkthehen në veprime konkrete dhe të bëhen prioritet i qeverisë së re.

“Praktikat nga vendet e zhvilluara na tregojnë se politikat publike të bazuara në evidencë nuk sjellin vetëm barazi, por sinergji, zhvillim dhe qëndrueshmëri ekonomike. Prandaj, për të krijuar një mjedis ku gratë shihen si zhvillim, frymëzim, model, është e domosdoshme që këto vlera t’i përkthejmë në veprime konkrete. Me veprime konkrete, me bashkëpunim, me stabilitet institucional. Sepse buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, investimi në shërbimet e kujdesit, ndryshimi i ligjit të punës, lirimi i sektorit privat nga barra e pagesës së lejes së lehonisë, vendosja e lejes prindërore si një përgjegjësi e përbashkët familjare, mbështetja financiare e grave ndërmarrëse dhe jo vetëm, nuk duhet të mbesin vetëm kërkesa kyçe të forumit ekonomik të grave, por duhet t’i shohim si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë dhe prioritet i qeverisë se re”, tha ajo.

Të ngjashme