Dy ditë më parë, ambasada britanike në Kosovës, ka organizuar pritje me rastin e ditëlindjes së Mbretit, ku të pranishëm ishin personalitete të ndryshme përfshirë politike, anipse, aty mungoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë kësaj feste, ambasadori Jonathan Hargreaves, ka mbajtur një fjalim, ku ndër tjerash është prononcuar edhe për situatën politike në vend, përcjell Gazeta Express. Ambasada i ka shkëputur mesazhet kyçe nga fjalimi të shtunën.
Aty, Hargreavss, vlerëson se, ‘’të gjithë pajtohen’’ se pas 18 muajsh ‘’pasigurie’’, partitë politike në vend duhet të punojnë së bashku për të mirën e Kosovës, duke krijuar institucione të qëndrueshme.
‘’Që kur kam ardhur këtu, kam pasur privilegjin e madh të vizitoj secilën komunë të Kosovës, çdo cep të këtij vendi të bukur dhe jashtëzakonisht mikpritës. E di se suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës pasqyron vendosmërinë, guximin dhe sipërmarrjen tuaj në të gjithë shoqërinë dhe në komunitete të ndryshme. Zonja Presidente, ju e dini se çështjet me të cilat përballet ky vend dhe ky kontinent nuk mund të presin. Dhe pas 18 muajsh pasigurie, e di se të gjithë këtu do të pajtohen se partitë politike duhet të punojnë së bashku për të mirën e Kosovës, për të krijuar një parlament, qeveri dhe presidencë të qëndrueshme’’, ka thënë ai.
Tutje, Hargreaves, ka potencuar edhe se, Kosova, s’duhet të dyshojë kurrë në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.
‘’Dhe Kosova nuk duhet të dyshojë kurrë në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim. Ne kemi qenë me ju që nga fillimi dhe do të mbetemi me ju edhe në të ardhmen. Sigurisht, është një e ardhme që duhet të formësohet si nga mbështetja që merr Kosova, ashtu edhe nga besimi që ajo frymëzon. Besim se ne ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen. Besim se Kosova është një partnere tek e cila të tjerët mund të mbështeten. Besim se Kosova do ta mbajë fjalën dhe premtimin e saj solemn — “besën” e saj nëse dëshironi, është më mirë të thuhet kështu, nëse më lejoni — për të ruajtur dhe mbrojtur një shtet të pavarur, demokratik dhe shumë-etnik’’, ka deklaruar më tej ambasadori.