Angli: Gruaja hidhet në kafazin e krokodilëve për të shpëtuar një djalë 3-vjeçar

Prishtinë | 22 Qer 2026 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një kopsht zoologjik në Britaninë e Madhe, ku pronarja e tij dhe familjarët e saj u hodhën në një rrethim me krokodilë për të shpëtuar një djalë trevjeçar, i cili dyshohet se ishte hedhur brenda nga një i panjohur.
Sipas raportimeve, Tracey Johnson, 55 vjeçe, bashkëshorti i saj Andrew Johnson, 56 vjeç, dhe djali i tyre Edward, 29 vjeç, ndërhynë menjëherë për të shpëtuar fëmijën në kopshtin zoologjik familjar “Johnsons of Old Hurst”, në Huntingdon.

Djali përfundoi në rrethimin e krokodilëve pasi një burrë dyshohet se e hodhi nga një lartësi prej rreth 4.5 metrash, ndërsa familjarët e tij e panë skenën me tmerr, raporton Metro.

Autoritetet bëjnë të ditur se të paktën një krokodil e sulmoi fëmijën, duke i shkaktuar thyerje në krah dhe në legen.

Tracey Johnson ishte ndër të parat që u fut në rrethim për të ndihmuar djalin, ndërsa pak çaste më vonë iu bashkuan bashkëshorti dhe djali i saj.

Sipas raportimeve, tre anëtarët e familjes arritën ta shkëpusnin fëmijën nga nofullat e krokodilit dhe ta nxirrnin në vend të sigurt.

Policia arrestoi një burrë 30-vjeçar nga Norfolk nën dyshimet për tentativë vrasjeje lidhur me incidentin.

Megjithatë, ai u la i lirë me kusht deri më 18 shtator, pasi mjekët vlerësuan se nuk ishte në gjendje të merrej në pyetje.

Burime të cituara nga mediat britanike thonë se i dyshuari ka probleme dëgjimi dhe shoqërohej nga dy kujdestarë. Një dëshmitare pretendon se kujdestarët ndodheshin disa metra larg dhe nuk po i kushtonin vëmendje, pasi ishin të përqendruar në telefonat e tyre.

Dyshohet se fëmija u kafshua nga një krokodil i Nilit ose nga një krokodil i ujërave të kripura, specie kjo e njohur për kafshimin më të fuqishëm në botën shtazore.

Policia u njoftua për ngjarjen nga shërbimi i ambulancës rreth orës 13:24, ndërsa djali u transportua menjëherë në spital.

Sipas përditësimit të fundit nga Policia e Cambridgeshire, fëmija ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

Të ngjashme