Ceremonia e mbylljes së Ligave Universitare 2026 mblodhi studentë, sportistë, përfaqësues institucionesh dhe organizatorë për të shënuar përfundimin e një sezoni të suksesshëm garash universitare. Në këtë aktivitet u ndanë mirënjohje dhe çmime për ekipet dhe sportistët që u dalluan në disiplinat e basketbollit 3×3, beach volleyball, futsal, padel, pingpong dhe shah, ndërsa të pranishmit vlerësuan rëndësinë e sportit universitar në promovimin e një stili të shëndetshëm jetese dhe zhvillimin e të rinjve, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, Musa Selimi, përgëzoi sportistët për përkushtimin dhe sakrificën e treguar gjatë sezonit, duke theksuar se suksesi ndërtohet me disiplinë dhe punë të vazhdueshme.
“Sot jemi në ditën përmbyllëse të kampionëve tanë, të cilët nuk kanë lindur kampionë por janë ndërtuar me shumë sakrificë, me shumë mund, me shumë djersë. Kanë ndërtuar edhe karakter që do t’ju shpijë përpara edhe në jetë, jo vetëm në sport. Dhe mbi të gjitha, disiplina e treguar gjatë këtyre muajve na dëshmon që studentët tanë vërtet kanë vlera të larta, të cilat uh ne duhet t’i vlerësojmë dhe duhet t’i çmojmë. Dhe kjo nuk është rastësisht, sepse këta inspirojnë edhe gjeneratat e reja, edhe ata sportistë të cilët sot nuk janë në mesin tonë, edhe ata të cilët pretendojnë vitin e ardhshëm të na bashkëngjiten në ligat universitare. Prandaj kjo do të jetë një kujtim i bukur sot, të stolisen me: Vendet e para, Kupa, Mirënjohje, Shpërblime nga sponsori ynë Red Bull, të cilët i falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme nga dita e parë deri sot. Dhe kjo mbi të gjitha është një arritje e lartë për të gjithë ata sportistë, ata futbollistë, padellistë, beachvolejbollistë, basketbollistë, pingpongistë dhe shahistë që vërtet kanë dëshmuar një formë të lartë sportive, e që do të na prezantojnë edhe në arenën ndërkombëtare në kampionatet që vijojnë sivjet dhe në vitet e ardhshme. Me shpresën që jemi munduar t’ju jemi afër jush, unë i falënderoj edhe anëtarët e bordit të Federatës së Sportit Universitar për mbështetjen e vazhdueshme. Dhe me këtë po e përmbyll këtë fjalimin tim duke dëshiruar që sa më shumë të kemi aktivitete, sepse të gjithë e dimë që sporti është mjet për jetesë, lëvizja është mjet për jetesë që na ndihmon edhe në shëndetin tonë dhe na ndihmon që ta kemi një të ardhme të ndritur, një rini të shëndoshë për të cilën po luftojmë dhe po e përmendin vazhdimisht, e që duhet sigurisht që të krijojmë kushte edhe më të mira”, tha Selimi.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Fikret Shatri, ritheksoi përkushtimin institucional për mbështetjen e sportit universitar dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në aktivitete sportive.
“Normalisht që ne jemi të zotuar që të fokusohemi si institucion në masovitet, sepse ashtu siç e përfundove fjalën tënde, qëndrojmë fuqishëm pranë asaj që jeta e shëndetshme është vetëm atëherë kur merremi me lëvizje, merremi me aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është një mburojë e jashtëzakonshme për me i përballu sfidat, për me i përballu të gjitha ato që na vijnë, jetën që na godet. Kështu që unë i përgëzoj të gjithë ata sportistë dhe sportiste që kanë marrë pjesë në këto gjashtë disiplina sportive. Shpresoj dhe besoj që në të ardhmen këto disiplina të shtohen, sepse nuk janë vetëm gjashtë disiplina në sportin tonë; ka mundësi hala më shumë. Normalisht, aspekti buxhetor i determinon shumë gjëra, por gjithsesi jemi tepër të kënaqur. Vazhdoni në këtë rrugë, jeni në rrugën e mbarë! Ne zotohemi që, në ballë të frontit, ajo çka varet nga ana jonë, të japim përkrahjen tonë, të japim mbështetjen tonë dhe suportin e nevojshëm për sportin universitar. Bashkërisht do të arrijmë atje ku synoni ju edhe ku synojmë edhe ne”, tha ai.
Në emër të sportistëve fitues, Melirona Abdullahu falënderoi organizatorët për mundësinë që studentët të shfaqin talentin e tyre dhe të krijojnë lidhje të reja përmes sportit.
“Dua të filloj me fjalimin tim duke falënderuar kryetarin e Federatës së Sportit Universitar, Musa Selimi, për këtë organizim kaq të bukur, kaq të përkushtuar dhe mbresëlënës, i cili na mundësoi të gjithë studentëve të tregojmë potencialin tonë, talentin tonë, por edhe të krijojmë shoqëri të re. Me këtë organizim, jo vetëm që kemi garuar, por kemi krijuar miqësi, kemi treguar potencialin tonë, si dhe shpresoj që ta kemi përfaqësuar universitetin tonë sa më dinjitetshëm. Këtij falënderimi dua t’i bashkëngjitem duke falënderuar edhe koordinatorët, të cilët kanë qenë shumë të duruar, të përkushtuar dhe gjithmonë në krahun tonë. Dhe shpresoj që ky të mos jetë viti i fundit, por të ketë shumë më shumë aktivitete dhe ky trend i aktiviteteve të përsëritet gjithmonë, që t’i lidhim studentët përmes sportit”, tha ajo.



