Oda Ekonomike Amerikane organizon tryezë diskutimi për gazin dhe sigurinë energjetike të Kosovës

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon sot një tryezë diskutimi me temën “Nga Debati për Politika te Hapat Praktikë: Qasja në LNG, Gatishmëria e Bizneseve dhe Siguria Energjetike e Kosovës”, duke filluar nga ora 10:00 në selinë e Odës.

Sipas njoftimit të Odës Amerikane, aktiviteti vjen në vazhdën e forumit për gazin e lëngshëm natyror amerikan (LNG), të mbajtur muajin e kaluar, si dhe në përgjigje të interesimit të vazhdueshëm të publikut dhe komunitetit të biznesit për sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Kosovë.

Tryeza pritet të mbledhë ekspertë të fushës, përfaqësues të bizneseve dhe palë të tjera të interesuara për të diskutuar hapat praktikë që nevojiten që Kosova të përfitojë nga infrastruktura rajonale e LNG-së.

Po ashtu, diskutimet do të fokusohen në rolin e sektorit privat në avancimin e diversifikimit energjetik dhe në rëndësinë e përafrimit të së ardhmes energjetike të Kosovës me iniciativat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rajonit.

Në panelin e diskutimit do të marrin pjesë Lorik Fejzullahu nga EcoPark, Pleurat Hundozi nga Crimson Capital, eksperti i ekonomisë Dardan Sejdiu, ekspertja e energjisë Laura Kryeziu, Ilir Iliri nga MWM, ekspertja e zhvillimit të qëndrueshëm Learta Hollaj, Shaqir Palushi nga Frutex dhe Halit Hoxhaj nga IFC.

Ngjarja do të mbahet në selinë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke filluar nga ora 10:00.

Të ngjashme