Dymbëdhjetë kursantë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar “Kursin e Komunikimit Niveli 2”, me anë të së cilit kanë fituar njohuri dhe aftësi të avancuara në konfigurimin, instalimin, programimin dhe funksionalizimin e sistemeve të komunikimit “Harris”.
Përmes një njoftimit, FSK-ja ka njoftuar se gjatë kursit, pjesëmarrësit u trajnuan në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit ushtarak, të cilat mundësojnë komunikim të sigurt, të besueshëm dhe efektiv në operacione, ushtrime dhe aktivitete të ndryshme taktike.
“Sistemet Harris përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere dhe kontribuojnë në ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive dhe partnerëve ndërkombëtarë.”, thuhet në njoftim.
Sipas FSK-së, realizimi i këtij kursi kontribuon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të komunikimit dhe në forcimin e aftësive operacionale, duke siguruar mbështetje efektive të komandimit dhe kontrollit në të gjitha nivelet e operacioneve.