Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar raportin gjashtëmujor të punës për periudhën 1 janar – 30 qershor 2026, në një takim të udhëhequr nga Drejtori Rajonal, Kolonel Faton Alija, me pjesëmarrjen e zëvendësdrejtorit, Nënkolonel Lulzim Shala, si dhe eprorëve të stacioneve dhe njësive policore.
Gjatë prezantimit, drejtori Alija theksoi objektivat strategjike të Policisë, të cilat përfshijnë forcimin e sigurisë publike, bashkëpunimin me qytetarët, zbatimin e Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2026–2030, rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe luftimin e kriminalitetit dhe dhunës në familje.
Sipas raportit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i veprave penale është rritur për 7.9 për qind, ndërsa zbulueshmëria e tyre është përmirësuar nga 67.4 në 69.3 për qind. Gjatë gjashtëmujorit, Policia e Prizrenit ka zhvilluar 385 operacione policore dhe ka sekuestruar 50 armë, që paraqet një ulje prej 19.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Raporti evidenton gjithashtu rezultate pozitive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë në shkolla, menaxhimin e trafikut rrugor, parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e zbulueshmërisë së veprave penale dhe incidenteve, e cila ka arritur në 79.4 për qind, krahasuar me 77.4 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Sa i përket rasteve më të rënda, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në rajonin e Prizrenit janë regjistruar tri vrasje, ndërsa në të gjitha rastet të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar para organeve të drejtësisë. Policia theksoi se prej vitesh në rajonin e Prizrenit nuk është regjistruar asnjë rast vrasjeje me autor të pazbuluar, duke e cilësuar këtë si dëshmi të efikasitetit në hetimin e krimeve të rënda.