AKK pret vendimin e Kushtetueses për rekrutimin në komuna, Ibrahimi: Centralizimi i kompetencave është në kundërshtim me Kushtetutën

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 09:00 | Nga Gzim Mujaj

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ende nuk ka marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, për të cilën komunat vlerësojnë se cenon autonominë lokale dhe centralizon kompetencat e pushtetit lokal.

Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se kërkesa është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në emër të kryetarëve të komunave, por deri më tani nuk ka asnjë informacion për trajtimin e saj.

“Po vendimi është marrë në Këshillin e kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, zotëri Smajl Latifi, në emër të kolegëve kryetarë, e ka dërguar rregulloren sa i përket procedurave të rekrutimit në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë informatë se a është marrë ndonjë vendim apo se çka ka ndodhur me kërkesën e komunave të Republikës së Kosovës në këtë aspekt. Kryetarët e komunave kanë vlerësuar dhe vlerësojnë që centralizimi i pushtetit është në mos harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe ligjeve aktuale të cilat merren me zhvillimin e procedurave të rekrutimit. Domethënë po shihet kjo qartë që është një tendencë e centralizimit të kompetencave nga niveli qendror dhe po shpresojmë dhe duam të besojmë që Gjykata Kushtetuese shumë shpejt do ta marrë një vendim dhe besojmë që do të jetë në favor të komunave sepse procedurat e rekrutimit gjithmonë janë zhvilluar në nivel lokal”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, komunat e konsiderojnë të papranueshme që Ministria e Punëve të Brendshme të vendosë për punësimin e shërbyesve civilë në nivel lokal.

“Në të kundërtën, kryetarët mendojnë që është e padrejtë që niveli qendror, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, njësia për burime njerëzore në kuadër të kësaj ministrie të caktojë se kush mund të punojë si zyrtar civil në një komunë apo në një komunë tjetër. Domethënë po shpresojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të nxirret shumë shpejt në mënyrë që komunat të vazhdojnë me aktivitetet të cilat i kanë paraparë në të kaluarën e afërt po edhe me procedurat të cilat i kanë zhvilluar edhe më herët”, tha ai, për Ekonomia Online.

Ibrahimi theksoi se centralizimi i procedurave të rekrutimit mund të ndikojë negativisht në interesimin e kandidatëve për të aplikuar në pozitat e komunave, sidomos të profesionistëve.

“Shikoni dëmi i cili konsiderohet që do të shkaktohet nga kryetarët e komunave është mosinteresimi i personave fizikë nëpër komuna të caktuara të aplikojnë për vendet e punës, po edhe s’ka asnjë logjikë që niveli qendror të përcaktojë se kush duhet të jetë shërbyes civil në një komunë apo në një komunë tjetër. Domethënë dekurajimi i personave që të aplikojnë për vendet e punës duke marrë parasysh që procedurat zhvillohen në Prishtinë dhe mosinteresimi i njerëzve adekuatë, në veçanti profesionistëve t’i bashkëngjiten radhëve të komunave sa i përket shërbimit civil”, tha ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës më 28 maj 2026 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të AKK-së.

Sipas AKK-së, rregullorja e miratuar nga Qeveria cenon drejtpërdrejt autonominë lokale dhe ndërhyn në kompetencat kushtetuese të komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal.

Rregullorja përcakton rregulla të reja për rekrutimin, themelimin e komisioneve, vlerësimin dhe emërimin e kandidatëve në shërbimin civil.

Të ngjashme