Vajza kërkon nga ndërkombëtarët dëshmi se babai i burgosur në Serbi ishte refugjat në luftë

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Florie Selmani, vajza e shtetasit kosovar Osman Selmani, ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare që kanë monitoruar refugjatët gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar dëshmi që, sipas saj, mund të vërtetojnë se babai i saj nuk ka kryer krime lufte.

Osmani Selmani, 74-vjeçar, ishte arrestuar më 1 korrik nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga Medvegja në Prishtinë, nën dyshimet për krime lufte.

Sipas vajzës së tij, gjatë luftës në Kosovë, familja Selmani ishte larguar nga shtëpia dhe kishte qëndruar si refugjate në Maqedoninë e atëhershme.

Ajo ka kërkuar nga organizatat që kanë qenë të përfshira në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve që të ofrojnë çdo dokument, regjistrim apo informacion që mund të dëshmojë qëndrimin e Osman Selmanit në kampin e refugjatëve në Çegran, Gostivar, gjatë periudhës së luftës.

Ajo u është drejtuar organizatave si UNHCR, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera humanitare, duke kërkuar ndihmë për dokumentimin e së vërtetës lidhur me rastin e babait të saj.

“Sot u drejtohemi të gjithë personave, organizatave dhe institucioneve që kanë qenë të përfshira në menaxhimin dhe monitorimin e refugjatëve gjatë vitit 1999. Çdo dëshmi, dokument, regjistrim apo informacion që mund të na ofroni do të jetë një ndihmë e madhe për zbardhjen e së vërtetës dhe dokumentimin e historisë së familjes sonë, veçanërisht lidhur me babain tonë, Osman Selmani.

Organizatat të cilave u drejtohemi:

UNHCR – Agjencia e OKB-së për Refugjatë (regjistrimi, mbrojtja dhe koordinimi i ndihmës për refugjatët)

ICRC – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ndihmë humanitare dhe lidhje familjare)

IFRC dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë

CARE (përfshirë në operacione humanitare gjatë krizës së refugjatëve)

IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migrim (transporti dhe kthimi i refugjatëve)

UNICEF, WHO, OCHA dhe organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara

CRS, Norwegian Refugee Council, Oxfam, Mercy Corps, International Medical Corps dhe organizata të tjera humanitare. Ju lutemi ta shpërndani këtë apel me këdo që mund të ketë informacione, dokumente apo dëshmi nga kampi i refugjatëve në Çegran gjatë vitit 1999. Çdo informacion mund të jetë një pjesë e rëndësishme për të vërtetën”, shkroi Florie Selmani.

Të ngjashme