Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, duke e cilësuar atë si një alarm për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së mediave në Kosovë.
Përmes një reagimi në Facebook, Xhemaili ka thënë se raporti dokumenton, sipas tij, cenimin e standardeve të lirisë së mediave dhe rritjen e presionit ndaj gazetarëve nga partia në pushtet.
“Nuk po sulmohen vetëm gazetarët, po sulmohet vetë shtetësia jonë. Kur një pushtet tenton të kontrollojë, shantazhojë dhe heshtë zërat kritikë, ai po tenton të zhbëjë themelet e demokracisë”, ka shkruar Xhemaili.
Ai ka bërë thirrje për ndaljen e çdo forme presioni ndaj fjalës së lirë, duke theksuar se Kosova nuk duhet të lejojë cenimin e standardeve demokratike.