4 vjet e gjysmë burgim ndaj njërit të akuzuar, 2 vjet e gjysmë ndaj të akuzuarit tjetër për lëndim të rëndë trupor

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj B.K., dhe B.Ç., për rrahje më 10 dhjetor 2024 në lokalin “Gizzi Grill” në Prishtinë. I akuzuari B.K., u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, kurse B.Ç., me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjyqtari Bujar Ahmeti, me të cilin dy të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” në bashkëkryerje.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për Ekonomia Online se dënimi me burgim, dy të akuzuarve do t’iu ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërkaq në dënim iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I dëmtuari A.L., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

Gashi theksoi se të akuzuarit obligohen të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë- B.K., 70 euro për paushallin gjyqësor kurse B.Ç., 35 euro. Ndërkaq, të dy veç e veç në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit nga 20 euro, nga 20 të tjera në emër të ekspertizës mjeko-ligjore.

Dy të akuzuarve iu vazhdua masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.

Në seancën fillestarë të mbajtur më 1 dhjetor 2025 të akuzuarit B.K., dhe B.Ç., janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për lëndim të rëndë trupor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 tetor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 në një lokal në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të të akuzuarit B.K., me dëshmitarin E.Sh., lidhur me një vajzë, pasi dy javë më herët i akuzuari K., fjaloset me dëshmitarin E.Sh., në një diskotekë dhe tenton ta sulmojë, në momentin që e sheh dëshmitarin duke qëndruar me të dëmtuarin A.L., në lokal, së bashku me të pandehurit B.Ç., dhe D.Rr., (për të cilin është veçuar procedura), afrohen tek tavolina ku po qëndronte i dëmtuari dhe dëshmitari, me këtë rast pasi i akuzuari Rr., fillon ta godasë me shishe në kokë dëshmitarin E., i pandehuri Ç., nga ana tjetër fillon ta godasë me grushte në kokë dhe pjesë të trupit- të dëmtuarin A.L.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri K., fillimisht e godet me grushte dhe shqelma, dhe më pas e nxjerr thikën dhe e godet të dëmtuarin në pjesën e barkut, duke i shkaktuar dëmtime trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186, par.3, pika 3.1 lidhur me par.1, pika 3.1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. 

Të ngjashme