Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dëmeve të mëdha që breshëri shkaktoi në Istog dhe në zona të tjera të vendit, duke kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë veprime urgjente për kompensimin e fermerëve.
Sipas Bajramit, brenda pak minutash u shkatërrua puna disa mujore e fermerëve, ndërsa qindra hektarë me kultura bujqësore u dëmtuan rëndë.
Ajo i bëri thirrje Qeverisë që të mbajë një mbledhje urgjente dhe të ndajë buxhet për kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga breshëri.
“Brenda pak minutash, breshëri ua shkatërroi fermerëve në Istog dhe në zona të tjera punën e disa muajve. Qindra hektarë me kultura bujqësore u bënë rrafsh me tokë.
Qeveria, e cila vetëm në javën e fundit të fushatës zgjedhore shpërndau qindra miliona euro për qëllime elektorale, duhet të mbajë mbledhje urgjente dhe të ndajë buxhet për kompensimin e tërë këtyre dëmeve. Kjo është detyrë e shtetit.
LDK kërkon krijimin e një skeme të sigurimeve bujqësore, që fermerët të mos mbeten çdo vit në mëshirën e fatit.
Sot nuk është dita për propagandë. Është dita për vendime dhe veprime. Fermerët nuk duhet të lihen vetë, sepse pa ta nuk ka as bujqësi, as siguri ushqimore”, ka shkruar Bajrami.