McGregor drejt ndërhyrjes në gju, zbulon kundërshtarin e dëshiruar për rikthim!

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Pas humbjes ndaj Max Holloway në UFC 329, Conor McGregor ka konfirmuar se do t’i nënshtrohet një operacioni në gju, pas dëmtimit të pësuar gjatë duelit.

Kjo do ta mbajë irlandezin larg kafazit për një periudhë ende të pacaktuar, ndërsa fokusi i tij tani është rikuperimi, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, edhe përballë një tjetër rehabilitimi të gjatë, “The Notorious” e ka të qartë se kë dëshiron për rikthimin e tij.

Ish-kampioni i dy kategorive ka zbuluar se synon ta mbyllë kontratën aktuale me UFC pikërisht ndaj Max Holloway, duke kërkuar përballjen e tretë mes tyre.

“It has to be Holloway” (duhet të jetë Holloway), shkroi McGregor në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se trilogjia me luftëtarin nga Hawai është objektivi i tij i vetëm sapo të jetë gati për t’u rikthyer.

Nga ana tjetër, presidenti i UFC, Dana White, ka deklaruar se është ende shumë herët për të diskutuar një rikthim apo një luftë të ardhshme për McGregor, pasi prioritet mbetet operacioni dhe rehabilitimi i irlandezit.

Vlen të theksohet se, vetëm pak javë para UFC 329, në një intervistë për Ariel Helwanin, McGregor kishte zbuluar se i kishin mbetur edhe dy lufta në kontratën aktuale me UFC dhe se organizata i kishte caktuar datën e përballjes së fundit në prill të vitit 2027.

Në atë kohë ai kishte deklaruar se nuk e dinte ende se kush do të ishte kundërshtari i tij, ndërsa ishte shprehur i pakënaqur që duhej të priste gati nëntë muaj pas UFC 329 për të luftuar sërish, duke e cilësuar atë pritje si “qesharake”.

Pas humbjes dhe dëmtimit ndaj Holloway, situata ka ndryshuar ndjeshëm.

McGregor tani e sheh pikërisht Max Holloway si kundërshtarin ideal për duelin e fundit të kontratës së tij, megjithëse operacioni në gju mund ta shtyjë edhe më tej afatin e rikthimit. 

Të ngjashme