Përfundon me sukses kursi i parë i Lidershipit për Sëmundjet Kronike Jo-Ngjitëse në Kosovë

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 21:01 | Nga Ekonomia Online

Një brez i ri liderësh në fushën e Sëmundjeve Kronike Jo-Ngjitëse (SKJN) është duke u formësuar në Kosovë pas përfundimit me sukses të kursit të parë të Lidershipit për SKJN, i cili për dy javë mblodhi profesionistë të fushave të ndryshme për mësim, bashkëpunim dhe zhvillim të zgjidhjeve praktike për sfidat shëndetësore.

Gjatë programit, pjesëmarrësit punuan në ekipe multidisiplinare për të trajtuar çështje konkrete të politikave publike që lidhen me parandalimin dhe kontrollin e faktorëve kryesorë të rrezikut për SKJN, përfshirë përdorimin e duhanit, ushqyerjen jo të shëndetshme dhe obezitetin, përdorimin e dëmshëm të alkoolit si dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Në ditën përmbyllëse të programit, grupet prezantuan zgjidhjet dhe rekomandimet e tyre për adresimin e këtyre sfidave, duke reflektuar qasje bashkëpunuese dhe praktike për përmirësimin e shëndetit publik në Kosovë.

Organizatorët vlerësuan kontributin e stafit akademik vendor dhe ndërkombëtar, partnerëve dhe të gjithë pjesëmarrësve, të cilët ndihmuan në suksesin e këtij edicioni të parë.

Kursi u organizua përmes partneritetit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në rolin e udhëheqësit akademik vendor.

Ky program bashkoi një grup të larmishëm profesionistësh të përkushtuar për forcimin e kapaciteteve udhëheqëse në parandalimin dhe kontrollin e Sëmundjeve Kronike Jo-Ngjitëse, me synim krijimin e komuniteteve më të shëndetshme dhe një sistemi më të fuqishëm të shëndetit publik në Kosovë.

Të ngjashme