Një 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ndodhi paraditen e së hënës në fshatin Shirokë të Suharekës.
Aksidenti ndodhi rreth orës 10:06.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Automjeti drejtohej nga B.U., 52 vjeç, banues në fshatin Shirokë. Si pasojë e vetaksidentit, ai pësoi lëndime të rënda trupore.
Pavarësisht se mori trajtim mjekësor, 52-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar.
Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Ky është një tjetër rast fatal në trafik, në një periudhë kur Kosova po përballet me një numër shqetësues aksidentesh me pasojë vdekjen.
Vetëm në pak ditët e fundit, gjashtë persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore, duke ngritur alarmin për sigurinë në trafik.