Nga e marta e javës së ardhshme, punëtorët teknikë të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës nuk do të paraqiten fare në vendet e tyre të punës për shkak të mospagesës së pagave për muajin qershor, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme me kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve teknikë të këtyre shkollave.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se nëse deri të martën nuk realizohen pagesat, atëherë mund të ketë edhe protesta.
“Takimi i sotëm është thirrur sepse, në bazë të rekomandimeve dhe përgjegjësisë që na e ka dhënë nënkryetari i Komunës, së bashku me pesë-gjashtë bashkëpunëtorë të tij, na është thënë se, pasi kemi kërkuar garanci se kur do të paguhej paga e muajit qershor, ajo do të vonohej më së shumti deri më 15 korrik.
Tani kemi informacione se kjo nuk ka ndodhur dhe, në njëfarë forme, ka telashe të brendshme në Komunën e Prishtinës. Deri më tani nuk kemi sinjale se do të bëhet pagesa e muajit qershor, por sot është marrë vendim që të pritet deri të martën e ardhshme. Nëse deri atëherë nuk do t’i kemi pagat në llogaritë tona bankare, atëherë që nga e mërkura do të kalojmë në opsionet e tjera, nuk do të paraqitemi fare në shkolla, nuk do të kryejmë asnjë shërbim dhe opsioni tjetër është që të protestojmë para Komunës për pagat tona”, tha Azemi.
Ai tha se janë lodhur nga kjo situatë, pasi pagat për këta punëtorë nuk paguhen asnjëherë me kohë.
“Megjithatë, jemi të sinqertë, jemi lodhur, sepse ka më shumë se një vit që asnjëherë nuk i kemi marrë pagat me kohë. Me të drejtë pyeti një punëtore, e cila tha: ‘A thua çfarë do të ndodhte sikur kryetari i Komunës të mos i kishte marrë dy paga?’ Unë mendoj se do të ndihej shumë keq, por megjithatë ata kanë para dhe nuk e kanë atë problem.
Paramendojeni, ne marrim pagë 390 euro dhe pagat nuk i kemi marrë që nga muaji maj. Si mund të jetohet kështu në Kosovë? Normalisht që të gjitha vendimet do t’i marrim në përputhje me Ligjin për Organizimin Sindikal dhe nuk do të kryejmë më shërbime derisa t’i kemi pagat tona në llogaritë bankare”, tha Azemi.
Ndërsa, përfaqësuesi i punëtorëve teknikë të shkollave, Milaim Sopi, u shpreh se mungesa e pagave ua vështirëson jetesën këtyre punëtorëve, të cilët kujdesen për mirëmbajtjen e shkollave.
“Po, kërkesat e punëtorëve sot, siç i dëgjuat edhe ju, janë që deri të martën do t’i japim edhe një mundësi komunës. Nëse nuk i ekzekutojnë pagat, ne do të protestojmë para Komunës dhe nuk do të shkojmë fare në vendet tona të punës.
Paga është dashur të dalë më 15 korrik. Kemi pasur një takim, unë si përfaqësues dhe një punëtore e kësaj shkolle, me nënkryetarin e Komunës dhe me tre-katër drejtorë të tjerë. Na kanë premtuar se pagën do ta marrim më 15 korrik, por sot është data 22 dhe paga ende nuk ka dalë.
Kjo na ka dëmtuar shumë. Së pari, siç e tha edhe kryetari, jemi në borxhe dhe kemi kredi të papaguara, për të cilat bankat po i thërrasin vazhdimisht punëtorët. Ata po më telefonojnë mua dhe po më thonë: ‘Bankat po na kërkojnë t’i paguajmë kreditë.’ Nuk di çfarë të them tjetër”, tha Sopi.


