Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu kundërpërgjigj ashpër Teheranit më 23 korrik, duke përshkallëzuar përplasjen verbale një ditë pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u zotua për një përgjigje “sy për sy” ndaj kërcënimit të presidentit, Donald Trump, për të bombarduar infrastrukturën iraniane për shkak të sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
“Politika e presidentit është koka për syrin”, u tha Rubio gazetarëve më 23 korrik, në margjinat e takimeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Manila. “Ata do të paguajnë një çmim shumë të rëndë për gjërat që po bëjnë. Madje, tashmë po paguajnë një çmim shumë të rëndë”.
Deklaratat e Rubios erdhën teksa konflikti u zgjerua në disa fronte gjatë natës.
Ushtria iraniane dhe Garda Revolucionare Islamike (IRGC) thanë se kanë goditur disa baza ushtarake amerikane në Kuvajt, si përgjigje ndaj sulmeve të reja amerikane ndaj caqeve iraniane, pas natës së 12-të radhazi të bombardimeve amerikane.
IRGC-ja pretendoi se ka sulmuar bazën ajrore Ali Al Salem, kampin Udairi dhe një kullë telekomunikimi, teksa ushtria iraniane tha se ka goditur kampin Doha, bazën Ali Al Salem dhe kampin Arifjan, raportoi televizioni shtetëror iranian më 23 korrik.
Ushtria e Kuvajtit tha se ka penguar “kërcënime me dronë”, pas disa ditësh sulmesh iraniane ndaj këtij shteti arab në Gjirin Persik. Ushtria e Jordanisë njoftoi se ka rrëzuar tri raketa në orët e hershme të 23 korrikut, ndërsa një raketë tjetër u rrëzua në një zonë të pabanuar, duke mos shkaktuar dëme.
Përshkallëzimi i konfliktit u shoqërua edhe me hapjen e një fronti të ri, pasi mediat shtetërore saudite njoftuan se një anije me flamur saudit u sulmua në Detin e Kuq, pasi rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, morën përgjegjësinë për sulme me raketa dhe dronë ndaj dy cisternave saudite, të quajtura Encelia dhe Layla.
Rebelët Huthi më herët gjatë javës kishin kërcënuar se do të bllokonin portet saudite në Detin e Kuq dhe do të pengonin qarkullimin në Ngushticën Bab al-Mandab, një veprim që mund të përkeqësojë pasojat nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.
Trump veçse ka sinjalizuar se si mund të përgjigjet Uashingtoni në rast të një bllokade saudite. Duke folur në Zyrën Ovale më 22 korrik, gjatë takimit me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, Trump u pyet drejtpërdrejt për kërcënimin e rebelëve jemenas Huthi, dhe ai u përgjigj: “Nëse ndodh diçka e tillë, ne do ta rregullojmë atë punë”.
Ai iu referua fushatës së mëhershme ajrore të Uashingtonit kundër këtij grupi si shembull se cili mund të jetë reagimi, duke theksuar se rebelët Huthi kanë qëndruar të qetë “që kur bëmë atë që bëmë herën e parë” – referencë për sulmet e gjera amerikane të kryera në mars dhe maj të vitit 2025, kur u goditën më shumë se 1.000 objektiva të rebelëve jemenas, përfshirë ndërtesa të raketave dhe udhëheqja e grupit.
Në Ngushticën e Hormuzit, IRGC-ja tha se ka kthyer mbrapsht tri cisterna nafte, duke paralajmëruar se çdo anije që kalon pa koordinim me Teheranin “do të ketë të njëjtin fat”.
Përmes kësaj deklarate, Garda sfidoi drejtpërdrejtë Trumpin, i cili më 22 korrik tha se Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë një urë ose një termocentral iranian – përfshirë pranë Teheranit – sa herë që Irani hap zjarr ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmi iranian ndaj bazave amerikane erdhi pasi Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se sulmet e saj gjatë natës kishin në shënjestër kapacitetet detare të Iranit, depot e raketave dhe dronëve, pozicionet e vëzhgimit bregdetar dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Sulmet, sipas CENTCOM-it, u kryen me qëllim që të dobësohet edhe më shumë aftësia e Iranit për të kërcënuar transportin tregtar detar.
Komanda amerikane tha po ashtu se, që nga rifillimi i bllokadës së porteve iraniane, ka devijuar nëntë anije tregtare dhe ka bllokuar një tjetër.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane vranë dy persona në Shalamçeh, pranë kufirit me Irakun, dhe goditën Bushehrin, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor civil i Iranit.
Kostoja e luftës është rritur për të dyja palët. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha më 21 korrik se konflikti i ka kushtuar SHBA-së 37.5 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 29 miliardë dollarë sa ishte vlerësuar kostoja në maj.
Duke folur më 22 korrik, presidenti Trump tha se nuk beson që Irani është i gatshëm për një marrëveshje, duke argumentuar se Teherani vazhdimisht përpiqet të rinegociojë çdo kompromis që arrin. “Ata nuk janë gati. Do të jenë shumë shpejt”, tha ai.
Marrëveshja e armëpushimit e arritur në mesin e muajit qershor, praktikisht është zhbërë, pasi luftimet rifilluan këtë muaj për shkak të Ngushticës së Hormuzi.
The Wall Street Journal duke cituar të dhëna për gjurmimin e fluturimeve dhe zyrtarë amerikanë, raportoi se trupa shtesë amerikane, ekipe mjekësore dhe armatime janë dislokuar në rajon.
Ndërkaq, Jordania njoftoi më 23 korrik se gjatë natës rrëzoi katër raketa dhe katër dronë, ndërsa në Bahrejn u aktivizuan sirenat paralajmëruese për sulme ajrore.
Që nga rifillimi i luftimeve këtë muaj, katër ushtarakë amerikanë janë vrarë: tre në një sulm iranian ndaj një baze ushtarake në Jordani dhe një tjetër në Irak.
Në Manila, Rubio komentoi edhe raportimet se Moska po e ndihmon Iranin të shënjestrojë forcat amerikane. Pyetja u ngrit pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjinat e takimit të ASEAN-it. Ai nuk pranoi të flasë për çështje të inteligjencës, duke thënë se nuk do të komentojë publikisht edhe nëse raportimet janë të sakta.
Por, sekretari Rubio tha se Irani ka kaluar vite të tëra duke zhvilluar në mënyrë të pavarur kapacitetet e tij raketore dhe me dronë, dhe se asgjë që po bëjnë aktualisht aktorët e jashtëm nuk po e rrit në mënyrë të konsiderueshme aftësinë e Teheranit për të shënjestruar amerikanët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë drejtpërdrejt për këtë çështje kur u pyet nga gazetarët për raportimet e mediave./REL/