Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike, duke pretenduar se, pavarësisht reduktimeve, Kosova ka qenë në eksport të energjisë gjatë orëve të para të ditës.
Sipas saj, vendi ka eksportuar energji elektrike nga ora 00:00 deri në 09:00, ndërsa eksporti, sipas pretendimit të saj, pritet të vazhdojë sërish nga ora 19:00.
Ymeri ka deklaruar se nga ky eksport përfitojnë financiarisht Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si dhe kompani që ajo i ka përmendur me emër, përfshirë Noa dhe ETMT.
Në të njëjtin reagim, ajo ka kritikuar situatën me furnizimin me energji, duke thënë se qytetarët, ndërkohë, po përballen me ndërprerje të rrymës, ndërsa banorët e Obiliqit, sipas saj, vazhdojnë të përballen me ndotjen e ajrit.