Hapet “Panairi i Gruas”, Kusari-Lila: Synojmë mbështetje të plotë për gratë ndërmarrëse

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 12:14 | Nga Artiona Çitaku

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me GIZ-in ka organizuar “Panairin e Gruas”, përmes të cilit synohet që të mbështeten gratë ndërmarrëse, raporton Ekonomia Online.

Aktiviteti mblodhi dhjetëra gra që prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, duke shërbyer si një platformë për fuqizimin ekonomik të grave, promovimin e bizneseve të tyre dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se pa i ndihmuar gratë qoftë në biznes apo prodhim, Kosova nuk mund të ketë zhvillim të plotë.

“Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ-in kanë organizuar këtë panair për t’ju dhënë mundësi edhe komunitetit të grave që të tregojnë produktet e tyre, sepse pas çdo produkti fshihet një inovacion, fshihet një punë e madhe që është bërë për ta krijuar atë produkt. Dhe ne si Odë Ekonomike e Kosovës e vlerësojmë rolin e gruas në zhvillimin ekonomik të vendit. E kemi kuptuar që pa i dhënë hapësirë dhe pa i ndihmuar, pa i ndihmuar gratë në në në biznes, në prodhim, në shërbime, në tregti, nuk do të mund të kemi zhvillim të plotë. Zhvillim të plotë dhe rritje do të kemi vetëm kur t’i ndihmojmë gratë që të avancohen në zhvillimin ekonomik të vendit duke i rritur bizneset e tyre. Per këtë arsye shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe ministren, znj. Mimoza Kusari, e cila 24 orë në 7 ditë të javës është e gatshme për t’i ndihmuar të gjitha gratë, po edhe të gjitha bizneset në Republikën e Kosovës. Kështu që së bashku sot kemi arritur të organizojmë këtë panair dhe t’ju japim mundësinë çdo vizitori, çdo blerësi që të vijë t’i shohë produktet, po edhe t’i blejë e t’i ndihmojë gratë që të zhvillohen më tutje, po edhe institucionet e Republikës së Kosovës të jenë pjesë e këtij zhvillimi”, tha Rafuna.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë, Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila tregoi se janë lansuar disa skema grantesh në mbështetje të plotë të grave ndërmarrëse.

“Si ministre tash në detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim në këtë post e gjithashtu edhe më herët në Qeverinë e Republikës, gratë ndërmarrëse kanë një rol të veçantë në politikëbërjen tonë. Prejse kemi lansuar skemat e granteve, gjithmonë është përparësi e dhënë edhe në vlerësim për gratë ndërmarrëse. Tashmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kuadër të Agjencisë së Re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të jetë edhe divizioni i veçantë për gratë ndërmarrëse divizion që synon ndërlidhjen e politikëbërjes me ekzekutimin dhe asistencën teknike të drejtpërdrejtë për gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e shpirtit të ndërmarrësisë edhe tek vajzat e reja që duan të jenë pjesë e ndërmarrësisë. Më lejoni të tregoj për disa prej aktiviteteve që tashmë vetëm se janë ndërmarrë nga ministria, por gjithashtu edhe të tjerat që janë të planifikuara për gratë ndërmarrëse”, deklaroi Kusrai-Lila.

“Ne sapo kemi përmbyllur një konferencë tepër të suksesshme në muajin qershor për gratë në ndërmarrësi, “She Rises” apo “Ajo Ngrihet”, në të cilën ishin pjesëmarrëse 300 gra ndërmarrëse. Përmes kësaj konference kemi trajtuar jo vetëm mundësitë, por edhe sfidat me të cilat sot gratë ballafaqohen për të bërë biznes, e gjithashtu kemi prezantuar mekanizmat ekzistues dhe ata që po planifikojmë për të ndihmuar gratë ndërmarrëse. Prej Fondit për Garanci Kreditore, tek dritarja për gratë në ndërmarrësi, tek skema e granteve në veçanti për gratë ndërmarrëse që është mbyllur dhe tani është në proces të vlerësimit tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e gjithashtu edhe tek vazhdimësia e mbështetjes tash në vjeshtë me konferencën rajonale për gratë ndërmarrëse, në të cilën përveç grave nga Republika e Kosovës në ndërmarrësi, do të jenë edhe gra nga vendet e rajonit”, tha ajo.

Të ngjashme