Kompozitorja nga Kosova në skenën amerikane – vepra e Dafina Zeqiri-Nushit interpretohet në SHBA

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Vepra “Saint Catharine” (2024) e Prof. Asoc. Dr. Dafina Zeqiri Nushi, pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, do të interpretohet më 6 gusht 2026 në Minneapolis Institute of Arts (Mia), një nga institucionet më prestigjioze të artit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vepra do të interpretohet nga violinisti me renome ndërkombëtare dhe i nominuar për çmimin Grammy, Peter Sheppard Skærved, në kuadër të programit artistik “An Evening Salon with Peter Sheppard Skærved”.

Kjo mbrëmje artistike ndërthur muzikën, artin pamor dhe letërsinë, duke u frymëzuar nga kryeveprat e Rilindjes Italiane dhe universi i Dantes.

Në program janë përfshirë vepra të kompozitorëve historikë si Diego Ortiz, Giovanni Bassano, Biagio Marini dhe Giuseppe Tartini, si dhe krijime të kompozitorëve bashkëkohorë Michael Alec Rose, Nigel Clarke dhe Dafina Zeqiri Nushi.

Përfshirja e veprës së Prof. Asoc. Dr. Dafina Zeqiri Nushi në këtë program artistik ndërkombëtar përbën një vlerësim të rëndësishëm të krijimtarisë së saj dhe një promovim të muzikës bashkëkohore nga Kosova në një nga institucionet më të njohura artistike në Shtetet e Bashkuara./Klankosova.tv

Të ngjashme