Arrestohen tre të dyshuar për fajde në Prizren, policia publikon pamjet e aksionit

Prishtinë | 19 Gus 2026 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, gjegjësisht Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren, së bashku me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, dje ka realizuar operacionin policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprën penale ‘Fajde’.

Gjatë veprimeve operative të ndërmarra janë arrestuar 3 persona të dyshuar: B. S., F. S. dhe A. D. I dyshuari B. S. përveç veprës penale të ‘fajdesë’ është i dyshuar edhe për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘aksident trafiku me lëndime’, pasi që gjatë tentimit të tij për të shmangur arrestimin, duke goditur me veturë ka lënduar një zyrtar policor dhe një qytetare.

Të dyshuarit lidhur me këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale viktimës.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në 3 lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, me ç‘rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale.

Ndaj tre personave të dyshuar, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Të ngjashme