Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Kryeministrinë e Republikës së Kosovës kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Kurti ka bërë të ditur se takimi u zhvillua dy vjet pas takimit të tyre të parë miqësor në zyrën e kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Izmirit.
Në fokus të takimit ishte thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izmirit në një sërë fushash me interes të përbashkët.
Sipas Kurtit, me kryetarin Tugay u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në ekonomi, industri dhe ndërmarrësi, arsim dhe kulturë, teknologji dhe inovacion, si dhe në bujqësi, mjedis dhe energji.
Krahas këtyre fushave, palët diskutuan edhe për potencialin për rritjen e investimeve dhe shkëmbimit tregtar, duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Izmirit.
Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave në fusha të ndryshme, veçanërisht në shëndetësi, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbeturinave.
Kurti ka theksuar se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Izmirit kanë një dimension të veçantë historik e njerëzor.
Sipas tij, Izmiri gjatë shekullit të kaluar u bë shtëpi për shumë shqiptarë të dëbuar nga dhuna dhe terrori i Serbisë dhe Jugosllavisë.
“Edhe pse asnjëherë nuk e harrojnë prejardhjen e tyre, bashkatdhetarët tanë atje janë pjesë e pandarë dhe çmuar e shoqërisë në Izmir”, ka shkruar Kurti.
Në përfundim, kryeministri në detyrë ka vlerësuar se ekziston potencial i madh për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izmirit, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në fusha të ndryshme.
Takimi, sipas Kurtit, synon që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Izmirit të marrin një dimension edhe më konkret përmes projekteve, investimeve dhe bashkëpunimit institucional.