Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se ditët e nxehta mund të sjellin ngarkesë të shtuar termike, veçanërisht për personat e ndjeshëm.
Sipas IHMK-së, temperaturat e larta gjatë mesditës dhe pasdites mund të ndikojnë në gjendjen e personave më të ndjeshëm.
Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin e gjatë në diell, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
“Moti i nxehtë gjatë ditës mund të shkaktojë ngarkesë të shtuar termike te personat e ndjeshëm, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Rekomandohet shmangia e qëndrimit të gjatë në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike në orët më të nxehta”, thuhet në njoftim.
IHMK rekomandon gjithashtu monitorimin e vazhdueshëm të lagështisë së tokës dhe ujitjen sipas nevojës, veçanërisht për kulturat që ndodhen ende në faza aktive të zhvillimit.
“Temperaturat e larta dhe moti kryesisht i thatë do të favorizojnë pjekjen dhe përfundimin e fazave të zhvillimit të kulturave bujqësore, por njëkohësisht do të rrisin kërkesat për ujë. Rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe ujitja sipas nevojës, sidomos në kulturat që janë ende në faza aktive të zhvillimit”.
“Në zonat ku mund të ketë reshje lokale, duhet pasur kujdes nga paraqitja e sëmundjeve dhe dëmtimet eventuale nga reshjet e mundshme. Indeksi UV: gjatë ditëve me diell pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë, ndaj rekomandohet mbrojtja nga rrezatimi diellor, veçanërisht gjatë intervalit 10:00–16:00”, thuhet në njoftim.