Më 26 shtator 2026, në Bujanoc do të mbahet edicioni i katërt i Konferencës Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”, e cila këtë vit për herë të parë organizohet në këtë komunë.
Konferenca synon të mbledhë afaristë, investitorë, prodhues vendorë, përfaqësues të institucioneve e organizatave, ekspertë të ekonomisë, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, me qëllim krijimin e iniciativave konkrete për zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës.
“Konferenca do të mbledhë afaristë, investitorë, prodhues vendorë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, ekspertë të ekonomisë, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, me synimin për të krijuar iniciativa konkrete për zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, edicioni i katërt synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe diasporës shqiptare, nxitjen e investimeve dhe promovimin e potencialit ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Gjatë konferencës do të zhvillohen panele diskutimi dhe takime B2B, të cilat do t’u mundësojnë pjesëmarrësve të prezantojnë bizneset dhe idetë e tyre, të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me partnerë dhe investitorë potencialë”, bëhet e ditur më tej.
Në kuadër të konferencës pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale. Në njoftim përmendet kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ndërsa në organizim dhe bashkëpunim janë të përfshira Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Luginë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe Rrjeti Global të Bizneseve Shqiptare.
Organizatorët kanë vlerësuar se pjesëmarrja në këtë konferencë përbën një mundësi për krijimin e partneriteteve të reja dhe nxitjen e investimeve.
“Pjesëmarrja juaj do të na nderonte dhe do të përbënte një kontribut të çmuar në ndërtimin e partneriteteve të reja, nxitjen e investimeve dhe promovimin e potencialit ekonomik të Luginës së Preshevës”, thuhet në ftesën për pjesëmarrje.
Konferenca do të mbahet më 26 shtator, nga ora 09:00 deri në 17:00, në Restaurant Agimi Imperial, në rrugën Gjilani 37a, në Bujanoc.