Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryetarit të Prizrenit, Eqrem Kryeziut, duke vlerësuar lart kontributin e tij në jetën politike, akademike dhe institucionale të Kosovës.
Ajo e ka cilësuar Kryeziun si një intelektual që “i dha sharm demokracisë”, duke theksuar se ai për dekada me radhë dha kontribut të rëndësishëm në jetën publike të vendit.
“Profesor, intelektual e veprimtar i palodhur, Eqrem Kryeziu i shërbeu vendit me dije, guxim dhe përkushtim”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka përmendur edhe angazhimet e tij të shumta, përfshirë bashkëpunimin me Presidentin historik Ibrahim Rugova, pozitën e nënkryetarit të LDK-së, kryetarin e Prizrenit, nënkryetarin e Kuvendit, deputetin dhe profesorin.
Sipas Osmanit, Kryeziu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetndërtimin e Kosovës dhe në zhvillimin e Prizrenit, qytetit me të cilin ishte veçanërisht i lidhur.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Profesor Eqremin!”, ka përfunduar Osmani, duke shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, miqtë, bashkëpunëtorët, qytetarët e Prizrenit dhe mbarë Kosovën.
Një nga figurat më historike të LDK-së, ish-kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu vdiq në moshën 78-vjeçare.