Çmimet e prodhimit në Kosovë në rritje, 4.6% më të larta se një vit më parë

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) u rrit mesatarisht me 4.6% në TM2 2026, krahasuar me TM2 2025.

Ndërkohë, në raport me tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

Rritjet më të mëdha vjetore janë regjistruar në disa sektorë të ekonomisë. Në krye qëndron grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me një rritje prej 32.2%.

Pas tij renditen prodhimi i pijeve me 20.1%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre me 14.7%, si dhe prodhimi tjetër me 9.8%.

Rritje janë shënuar edhe te:

Produktet e gomës dhe plastikës – 3.8%

Produktet minerale jometalike – 3.3%

Përpunimi i produkteve ushqimore – 3.2%

Prodhimi i mobilieve – 2.6%

Makineritë dhe pajisjet – 2.4%

Rritje edhe në tremujorin e dytë

Në bazë tremujore, pra krahasuar me TM1 2026, çmimet e prodhimit u rritën me 0.9%.

Rritjet më të mëdha u regjistruan te prodhimi i pijeve (3.2%), prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (2.6%), prodhimi i metaleve (2.3%) dhe produktet e gomës dhe plastikës (2.0%).

Ndërkohë, çmimet ranë në disa sektorë. Rënia më e madhe u regjistrua te prodhimi i veshjeve, me 6.4%, ndërsa te prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure rënia ishte 2.7%.

Sipas ASK-së, këto ndryshime kanë bërë që rritja e përgjithshme e çmimeve të prodhimit të arrijë në 4.6% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të publikimit për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e dytë të vitit 2026.

Të ngjashme