Gjini: Kosova po përjeton ditët më të vështira, jemi jashtë çdo norme kushtetuese

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Aleanca ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, ndërsa pas saj kryetari i partisë, Ardian Gjini, ka mbajtur konferencë për media, ku ka kritikuar situatën politike, institucionale dhe ekonomike në vend, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka thënë se Kosova po përjeton ditët më të vështira që nga paslufta, duke akuzuar pushtetin për shkelje të Kushtetutës dhe për bllokimin e institucioneve.

“Kosova sot është në ditët më të vështira të veta në cilindo aspekt që e shikon. Në aspektin e ndërtimit të institucioneve vetëm jemi jashtë çdo norme kushtetuese, edhe pse e kemi bërë me tolerancë, jemi duke u afruar ditën kur Kosova ka me dalë jashtë çdo norme kushtetuese për themelimin e institucioneve demokratike. Kosova sot po jeton në epokën e mashtrimit më të madh të popullit të vet në historinë e saj. Qindra vjeçare a ndoshta. Është epokë e mashtrimit kolosal. Çoftë sa i përket ekonomisë, çoftë sa i përket arsimit, çoftë sa i përket shëndetësisë, marrëdhënieve me jashtë, respektimit të kushtetutës dhe të ligjeve të cilat i kemi bërë vetë. Kosova sot është në një gjendje prej së cilës nuk ka më kurrfarë mundësie me dalë pa trauma”, u shpreh ai.

Kryetari i Aleancës ka thënë se partia e tij synon që pasojat e kësaj krize të jenë sa më të vogla për qytetarët, duke rikujtuar ofertën që, sipas tij, Aleanca e kishte bërë më herët për tejkalimin e krizës.

“Motivi ynë si Aleancë është me ndihmu që këto trauma me qenë sa më të vogla për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse e kemi ofruar veten para dy muajve këtu, prej kësaj foltoreje, me ndihmu me dalë prej krizës. Mirëpo, siç e keni parë të gjithë ju edhe po besoj që secili qytetar i Kosovës, sado që hapen dyert për uzurpatorët e pushtetit sot, ata nuk duan me kaluar nëpër ato dyer. Duan vetë me i mbajtur të mbyllura. Jo vetëm Aleanca, por edhe partitë e tjera kanë ofruar dyert për daljen prej krizës, por këtë njerëz jo vetëm që nuk duan me dalë prej krizës, por krejt mendësinë e vet e kanë me e mashtruar opinionin edhe me e fajësuar dikë tjetër për atë që e bëjnë vetë”, është shprehur ai.

Gjini ka kritikuar edhe mënyrën se si po menaxhohet sektori energjetik, duke pretenduar se qytetarët po e paguajnë koston e krizës përmes faturave të energjisë.

“Prej kujt i marrin këto miliarda euro që na paguajnë veç energjinë, a e dini prej kujt i marrin? Prej xhepave tuaj! Prej xhepave tuaj, prej xhepave të fukarave, që kur të vijnë zgjedhjet u japin nga 100 euro! Për mos me e ndalur tragjedinë këtu, Kosova shndërrohet në të vetmin vend në Evropë që i ngjason vendeve të botës së tretë, edhe ato para shumë viteve. Që tash në vend se me prodhuar energji nga thëngjilli i vet, shet thëngjill me vagona. Vendet e botës së tretë janë qenë ato të cilat i kanë pasur pasuritë natyrore, por për shkak të qeverisjeve super të korruptuara, jo patriotike, kanë përfunduar duke i nxjerrë mineralet e veta, duke i shitur për pak para, e duke e blerë produktin e vet me çmim një qind fish më të shtrenjtë. Çka po ndodh këtu? Nëse Kosova i shet 73 milionë euro thëngjill Maqedonisë së Veriut, vetëm për dy muaj import të energjisë na duhen. Vetëm për dy muaj. Dy muaj importojmë energji nga thëngjilli që e shesim prej Kosovës”, ka thënë Gjini.

Ai ka kritikuar edhe, siç e ka quajtur, “baltosjen” e tregimit për lirinë e Kosovës dhe narrativën e krijuar ndaj shteteve që kanë ndihmuar në çlirimin e vendit.

“Përpos mbytjes së tregimit tonë për liri, baltosjes së atij tregimi, kanë mbërritur një pjesë e qytetarëve tanë me ju mbushur mendjen që edhe vendet që na kanë ndihmuar me u çliruar kanë bërë diçka për një interes të çuditshëm të vetin, ju veç mundeni me e marrë vesh se çfarë narracioni është ndërtuar në Kosovë, e që është mbështetur plotësisht prej njerëzve që që 7 vite janë në pushtet. Kosova është në krizë të rëndë. Është në krizë serioze. Morale, institucionale, ekonomike. Kosova sot është në depresion ekonomik”, ka deklaruar ai.

Gjini ka akuzuar pushtetin se po pengon marrjen e mandateve nga deputetët e zgjedhur dhe se po bllokon konstituimin e Kuvendit.

“Ky pushtet në mënyrën më brutale edhe më të paligjshme të mundshme nuk është duke ju lejuar 120 deputetëve të zgjedhur të popullit me e marrë mandatin. E kanë bllokuar krijimin e institucioneve, e kanë bllokuar krijimin ose themelimin, konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ju pamundësuar përfaqësuesve të popullit të Kosovës me e ngritur zërin në Kuvend. Me i marrë mandatet që nuk ju ka dhanë ky, po ju ka dhanë populli. Kjo është ndër shkeljet më brutale, më brutale të Kushtetutës, të rendit kushtetues edhe të demokracisë në Kosovë që kanë ndodhur ndonjëherë”, ka shtuar Gjini.

Të ngjashme