Gjini konfirmon pjesëmarrjen në protestën e 12 shtatorit: S’ka të bëjë kjo me Thaçin, Veselin apo Krasniqin

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe fjalimin e tij në protestën e 12 shtatorit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka thënë se protesta nuk lidhet vetëm me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin apo të tjerët, por me mbrojtjen e historisë së Kosovës për luftën dhe lirinë.

Ai theksoi se se qytetarët nuk duhet të lejojnë që sakrifica e atyre që luftuan për liri të harrohet apo të njolloset. Ai u shpreh optimist se Kosova do të dalë nga kjo gjendje.

“Po. Unë e kam konfirmuar se do të flas, është kërku prej meje. Patjetër që do të jemi aty. Mos e harroni një fjali që ju thashë:

Nuk ka të bëjë kjo me Hashim Thaçin, as me Kadri Veselin, as me Jakup Krasniqin, as me Rexhep Selimin, as me të tjerët. Fushata është për baltosjen e tregimit tonë për lirinë tonë. Mos me mbërrí me i bë fëmijët tonë patriotë, me u tregu heroizmat e njerëzve, me u tregu sakrificën e djemve e vajzave që kanë luftuu për liri edhe të shumë e shumë të tjerëve që kanë bë sakrifica të të gjitha natyrave. për një ditë të lirë për Kosovën. Domethënë, qëllimi është me e mbytë tregimin e Kosovës për liri. Edhe këtij i ka ndihmu ky qëllimi me ose pa vetëdije e kanë sjellë Kosovën me e fye vetveten, me e mohu vetveten, mos me i dashur simbolet e veta, mos me e dashur shtetin e vet, mos me i dashur heronjtë e vet. Jo veç ata të gjallë, po as të vdekurit. Kjo është mëkati më i madh që i ka ndodhë Kosovës. Siç ju thashë edhe një herë, po jetojmë në kohën e mashtrimit të madh. Ka me u shënu në anale si koha e mashtrimit të madh, ama Kosova ka me dalë prej tij, prej kësaj gjendje. Po ju garantoj: kemi me e nxjerrë Kosovën prej kësaj gjendje! Ka njerëz Kosova që nuk kanë me leju me shku poshtë mundi i gjeneratave e me u rritë fëmijët tonë në mizeri, mos me e dashur vendin e vet, me lypë veç me ikë prej këtij vendi”, tha Gjini.

Gjini akuzoi gjithashtu edhe kryeministrin në detyrë, Abin Kurti pasi, sipas tij, po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

“Këta janë bërë bashkë me shku me zgjedhje, po e manipulojnë popullin, mediat dhe krejt Kosovën. Këta kanë vendos me shkua në zgjedhje më 27 dhjetor dhe po shohin mënyrat. Pritni dhe shihni”, tha ai.

Më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, do të mbahet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”.

Të ngjashme