Avokatja e Konjufcës: Aktgjykim i drejtë, prokuroria nuk kishte bazë të qëndrueshme provuese

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Avokatja e Glauk Konjufcës, Arbnora Zeqiri, e ka mirëpritur aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të mbrojturit të saj, duke e vlerësuar atë si vendim të drejtë, raporton Ekonomia Online.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Zeqiri tha se gjykata, pas rigjykimit, sërish e ka shpallur Konjufcën të pafajshëm për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, pasi, sipas saj, përgjegjësia penale duhet të mbështetet në ligj dhe prova.

“Sot Gjykata Themelore në Prishtinë pas një rigjykimi shpalli sërish aktgjykim lirues për të mbrojturin tim zotëri Glauk Konjufcën, për shkak domethënë të veprës penale për të cilën është akuzuar përdorimi i armës apo mjete të rrezikshëm. Këtë vendim e mirëpresim si një vendim të drejtë ku gjykata sërish e vendosi përgjegjësinë penale aty ku duhet të jetë pra te ligji dhe provat, pasi që përgjegjësia penale kërkon që të provohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar”, tha ajo.

Sipas avokates, Prokuroria nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të mbështetur një vendim tjetër përveç aktgjykimit lirues.

“Andaj ne si mbrojtje e konsiderojmë që prokuroria nuk ka pasur një bazë të qëndrueshme provuese me të cilën gjykata do të mund ta shqiptonte ndonjë vendim tjetër përveçse atë që shpalli sot, vendim lirues”, tha Zeqiri.

Të ngjashme