Blakaj: Kokaina po përhapet me shpejtësi në Kosovë, shqetësuese përdorimi edhe te të miturit

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 08:55 | Nga Drita Dërmaku

Përdorimi i drogave në Kosovë ka shënuar një rritje të lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ndërsa shqetësim i veçantë mbetet përhapja e kokainës dhe fakti që përdorimi i saj është evidentuar edhe te të miturit.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se të dhënat e qendrës tregojnë një rritje të lehtë të përdorimit të drogave krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, ai ka theksuar se të dhënat që dalin nga terreni tregojnë një situatë edhe më shqetësuese.

“Po, ka pasur një ngritje të lehtë gjatë këtyre muajve, gjatë gjashtëmujorit të parë po flasim tani të këtij viti. Një ngritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Sido që të jetë, pra, ka edhe një tjetër të dhënë si statistikë, që po ashtu te nënmosha, pra është zvogëluar numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë tek ne. Kjo edhe ndodh ndonjëherë, por jemi në shqyrtim të arsyes, edhe pse nëse e vazhdon këtë tendencë deri në fund të vitit, atëherë sigurisht që do ta hulumtojmë më thellë pse po ndodh që më pak të rinj ose fëmijë janë lajmëruar gjatë gjashtëmujorit të parë”, ka deklaruar Blakaj.

Ai ka bërë dallim mes statistikave që dalin nga personat që kërkojnë ndihmë në Qendrën “Labyrinth” dhe situatës që ekipet e kësaj qendre hasin gjatë punës në terren.

“Sido që të jetë, ngritja e lehtë e përgjithshme, nuk e dimë arsyen për çka kemi statistikë më të ulët si e dhënë statistikore në qendrën tonë. Por, ne përveç të dhënave statistikore këtu brenda për personat që paraqiten, ne kemi dhe analizë tjetër që e bëjmë në terren. Në terren situata tregon pak më ndryshe. Në fakt, ka rritje më të madhe se sa statistikat tona. Edhe këtu e kemi gati pothuajse për herë të parë këtë distancë në numra, statistika dhe vështrimet në terren. Ne kemi ekipe që gjithmonë e kemi bërë në terren edhe kemi krahasuar a ka dallime me të dhënat statistikore”, është shprehur ai.

Blakaj ka thënë se përdorimi i marihuanës mbetet i përhapur në Kosovë, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale, ndërsa veçanërisht shqetësuese, sipas tij, është rritja e shpejtë e përdorimit të kokainës.

“Nuk janë esenciale këto të dhëna që ndryshojnë situatën tonë në Kosovë. Pra, kemi problem të përdorimit natyrisht të mariuanës që është e gjithanshme, e shtrirë, jo vetëm në pjesët urbane, por edhe në viset rurale. Dhe po ashtu që neve na shqetëson tepër shumë është përhapja e kokainës me shpejtësi të madhe e gjithandej Kosovës. Në fakt, ne kemi qenë, nëse krahasojmë edhe me shtetet e rajonit, diçka më mirë se të gjitha vitet më përpara, pesë vite më përpara. E gati 2022-ta ka filluar me shpejtësi mu rrit”, ka thënë Blakaj.

Ai ka theksuar se edhe pse trendet e përdorimit të kokainës janë shqetësuese në shumë vende evropiane, Kosova duhet të fokusohet në situatën e saj.

“Ne e kuptojmë trendin në Evropë, ose në shtetet e BE-së të përdorimit të kokainës, të cilat në disa shtete komplet është dalë jashtë kontrollit. Por ne nuk duhet me u krahasuar me shtetet e tjera, por ne duhet me këqyrë punën tonë, vendin tonë edhe me e ndalë sa më shumë që është e mundur. Kjo është se çka desha me thënë”, është shprehur ai.

I pyetur nëse kokaina ka gjetur përdorim edhe te të rinjtë dhe të miturit, Blakaj ka thënë se kjo dukuri ka filluar të vërehet prej rreth dy vitesh, duke e cilësuar si një prej zhvillimeve më shqetësuese.

“Tek të miturit ka filluar dy vite më përpara. Kokaina, po flasim. Edhe kjo na ka shqetësuar më së shumti. Pra ne kemi pasur gjashtë vite më përpara, po e marrim krahasimin, persona që janë paraqitur mosha 35-45 vjeç, e disa edhe 55. Por me shpejtësi ka filluar të bjerë kjo. Vitin e kaluar ka qenë 25-35. Por tek kjo 25 e kemi vërejtur që ka nën 18 vjet ose nënmoshë personat të cilët përdorin kokainë”, ka deklaruar Blakaj.

Ai ka paralajmëruar edhe për pasojat e përdorimit të “krak kokainës”, duke thënë se kjo formë mund të krijojë varësi më shpejt dhe të shkaktojë agresivitet te përdoruesit.

“Edhe kjo krijon problematikë të madhe. Është edhe krak kokainë, pra një formë e përdorimit të kokainës e cila shkakton probleme të mëdha. Problemet e kësaj forme të përdorimit të kokainës atëherë paraqesin problem në shpejtësi krijohet varshmëria edhe që i bën tepër agresivë personat që e përdorin në këtë formë. Këtu janë ato karakteristikat kryesore sa i përket kokainës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Sipas Blakajt, për një kohë të gjatë ka ekzistuar perceptimi se kokaina nuk përbën problem serioz, veçanërisht për shkak të lidhjes së saj me shtresat më të pasura të shoqërisë.

“Për kohë të gjatë është menduar që kokaina nuk krijon ndonjë problem të madh edhe gjithmonë është aludu se kokainën e përdorin njerëzit e shquar, të elitave të ndryshme shoqërore, dhe që nuk është drogë problematike. Sipas definicionit, çka quajmë ne përdorues problematik, ne i ndajmë dy kategori: përdorues të drogave dhe përdorues problematikë të drogave. Përdorues problematik i drogave është cilido person që përdor tre herë e më shumë cilëndo drogë, duke përfshirë edhe mariuanën, është përdorues problematikë i drogave. Që do të thotë, ka kriju varshmëri, që do të thotë që ka probleme te funksionimi, pra bëhet jofunksional, problemet në familje, konflikt me ligjin e kështu me radhë. Këto janë definimet me të cilat operohet tani në botën moderne”, ka deklaruar Blakaj.

Blakaj ka kritikuar institucionet për mungesë të programeve parandaluese, veçanërisht programeve të fokusuara te të rinjtë dhe shkollat.

“Atëherë në Kosovë ka diçka trajtim, atëherë është Labyrinth, është klinika psikiatrike, ka sektori privat po ashtu e kështu me radhë. Diçka natyrisht lë për të dëshiruar në secilin institucion, duke përfshirë institucionin tonë, kualiteti i shërbimeve e kështu me radhë. Por ajo që mungon pothuajse tërësisht janë programet parandaluese, posaçërisht të dedikuara për të rinjtë ose për shkollat e kështu me radhë. Kjo mungon krejtësisht edhe kjo po na shqetëson shumë, edhe kemi bërë përpjekje që në strategjinë që është aprovuar vitin e kaluar me e futur si prioritet parandalimin ose programet parandaluese”, ka thënë ai.

Sipas tij, programet parandaluese duhet të jenë të fokusuara te grupmoshat e caktuara dhe jo të aplikohen në mënyrë të përgjithshme për të gjithë popullatën.

“Ka shumë lloj programesh të tilla parandaluese, me qindra mund të thuhet, por ne i ndajmë pak më ndryshe. Për shembull, parandalimi gjeneral ose parandalimi që bëhet për krejt popullatën, ne mendojmë se kjo nuk ka efekt ose nuk ka vlerë me bërë një gjë të tillë. Pra më tepër është një fokusim i përcaktuar i grupmoshave të caktuara. Në këtë rast po thoshim për shkollat. Sigurisht që ata të rinj, para se të fillojnë, të jenë të pajisur më mirë me të vërtetat për drogën”, është shprehur Blakaj.

Ai ka theksuar se të rinjtë marrin informacione për drogat nga burime të ndryshme, përfshirë rrjetet sociale, gjë që, sipas tij, mund të krijojë konfuzion.

“Të rinjtë marrin informata prej bashkëmoshatarëve, prej të rriturve në familje, prej të rriturve në rrugë, e posaçërisht prej internetit, ku përmes internetit përfshihen të gjitha mediat sociale e gjithë të tjerat, dhe tek ta krijohet një konfuzion. Për arsyen se marrin informacione që janë shumë kundërshtuese njëra me tjetrën. Edhe atëherë krijohet një konfuzion tek ta. Detyra jonë është me u treguar të vërtetën mbi drogat”, ka thënë ai.

Blakaj ka treguar se Qendra “Labyrinth” ka nisur programe pilot për trajnimin e psikologëve shkollorë dhe identifikimin e hershëm të rasteve.

“Kësi lloj programesh ne kemi nisur diçka të tillë me bërë, për shembull trajnimin për psikologët e shkollave, si pilot tri ditor që kemi bërë me psikologë, dhe mendojmë që shkollat janë në gjendje, nëse trajnohen pak më mirë, janë në gjendje me bërë parandalimin brenda shkollës. E kemi një program të cilin po mundohemi me e perfeksionuar, që është identifikimi i hershëm dhe intervenimi i shpejtë. Identifikimi i hershëm është jashtëzakonisht me rëndësi sepse në ato faza mundet lehtë me intervenu edhe mundet me kryer punën edhe shumë të tjerë që nuk janë specialista të fushës. Pra mundet psikologu i shkollës, arsimtari, profesori, menaxhmenti i shkollës e kështu me radhë. Nëse kanë problem ose po del prej kontrollit personi, atëherë është sistemi i referimit që ishte dashur me bërë ndërlidhjen. Këto ne jemi duke u munduar me i përcjellë edhe këto me i prezantuar si program i cili mundet me ndikuar drejtpërdrejt”, ka deklaruar ai.

Blakaj ka kërkuar që rastet e dyshuara të përdorimit të drogave në shkolla të trajtohen me kujdes dhe jo vetëm përmes ndërhyrjes policore, pasi kjo, sipas tij, mund të çojë në kriminalizimin e të miturve.

“Pra, nuk është problemi te shkollat, atëherë nuk është e mirë me u stigmatizuar asnjë shkollë. Sepse ne e dimë që të gjitha në botë gjëra të tilla ndodhin edhe e kuptojmë shumë mirë. Neve na pengon shumë pse nuk po intervenojnë shkollat në kuptimin e parandalimit ose të tjerave. Nëse ka një rast shkolla që dyshohet që dikush po përdor drogë, e posaçërisht që dikujna edhe e nxit në këto gjëra, e shohin që ka përdorur, atëherë ftohet policia. Edhe pyetja jonë është për ta: e çka i bën policia atij personi? Kurrgjë, e hapin një dosje për të. Dhe praktikisht personi aq i ri kriminalizohet”, ka thënë Blakaj.

Ai ka paralajmëruar se pasojat mund të jenë edhe më të rënda, pasi grupet kriminale që merren me shpërndarjen e drogave mund t’i shënjestrojnë të miturit që janë futur në këtë proces.

“Më tutje çka ndodh? Grupet ose ata që i shpërndajnë drogat, grupet kriminale të shpërndarësve të drogave, pikërisht i synojnë ata fëmijë. Edhe ata i afrojnë ndaj vetes edhe i rritet siguria personit të tillë edhe bëhet pjesë e grupit edhe shet më tutje drogë. Pra, kjo është, kur maten dëm-dobia, rezultati është kjo: bëhet dëm i madh”, ka shtuar Blakaj.

Të ngjashme