Ish-ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, ka pranuar një rol si këshilltar për novacion në Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë, tha kjo ministri të premten.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, e kishte zbuluar ofertën pak kohë pasi Fedorovi ishte shkarkuar në korrik, duke e çmuar atë si forcë shtytëse prapa novacionit ushtarak që e ndihmoi Ukrainën ta rifitonte iniciativën në luftën e saj kundër Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Prandaj, më vjen mirë që Mykhailo Fedorov ka pranuar që t’i ofrojë shërbimet e tij si këshilltar për novacion në mbrojtje” – tha Crosetto në një deklaratë që u publikua bashkë me një fotografi ku shihen dy burrat.
Fedorovi, 35 vjeç, u shkarkua vetëm gjashtë muaj pas emërimit në detyrë, pasi kishte nisur reforma në lidhje me prokurimin dhe mobilizimin, duke e vënë në përplasje me establishmentin ushtarak dhe rivalët politikë.
Përmes një shkrimi në rrjetin X, Fedorovi e falënderoi ministrin italian për “përkrahjen e tij personale” dhe për ofertën që të shërbejë si këshilltar i tij.
“Në këtë rol, unë do t’i asistoj Italisë në zbatimin e teknologjive moderne luftarake, duke e fuqizuar sektorin e saj të mbrojtjes, dhe për t’iu përshtatur sfidave globale të sigurisë në shpalosje e sipër” – shkroi ai.