Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka reaguar për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, por përgjegjësinë për gjendjen në arsimin parauniversitar duket se e ka kërkuar diku tjetër.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Haliti ka drejtuar kritikat kryesisht ndaj komunave, duke ngritur pyetjen se përse, sipas tij, ato nuk po përballen me kritika për rezultatet e Kosovës në PISA.
“Si nuk pashë askënd duke i kritikuar komunat e Kosovës për rezultatin e dobët në PISA? Kur rezultatet janë të dobëta, të gjithë nxitojnë të kërkojnë përgjegjësi në nivelin qendror. Por, çuditërisht, shumë pak flitet për përgjegjësinë e komunave. Nga çerdhja, te shkolla fillore e deri te shkolla e mesme, arsimi parauniversitar është kryesisht kompetencë dhe përgjegjësi e komunave. Komunat kanë përgjegjësi për drejtoritë e arsimit, menaxhimin e shkollave, përzgjedhjen e drejtorëve dhe mësimdhënësve”, ka shkruar ai.