Policia e Kosovës: “Marshi për Liri” kaloi i qetë dhe pa incidente

Prishtinë | 12 Sht 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se “Marshi për Liri” i mbajtur në Prishtinë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Përmes një njoftimi, Policia ka thënë se, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, kishte ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e marshit.

“Policia e Kosovës, ashtu siç kishte paralajmëruar me kohë, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e marshit në aspektin e sigurisë, i cili kaloi në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident”, thuhet në njoftim.

Policia ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në marsh për sjelljen e tyre paqësore dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë.

“Policia e Kosovës falënderon organizatorët dhe mijëra qytetarë pjesëmarrës për qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore të treguar, e në veçanti për respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë gjatë pjesëmarrjes në marsh dhe qarkullimit në trafikun rrugor”, thuhet më tej.

Sipas Policisë, pjesëmarrja dhe sjellja e përgjegjshme e qytetarëve kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e sigurt të organizimit.

“Pjesëmarrja juaj, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit paqësor”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme