Inspektorati i Tregut intensifikon “aksionin” në tekstil– në fokus çmimet, uljet dhe abuzimet me konsumatorët

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka inspektuar dyqanet e tekstilit, me fokus në respektimin e rregullave që ndërlidhen me tregtinë, produktet dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Gjatë inspektimeve IQMT ka thënë se po kontrollohen dokumentacioni i biznesit, faturat dhe origjina e mallrave, çmimet, etiketimi i veshjeve, deklarimi i produkteve, promocionet dhe uljet, si dhe kushtet e shitjes dhe të kthimit të produkteve.

“Duke marrë parasysh se gjatë muajit shtator qytetarët shfaqin interesim të shtuar për blerjen e veshjeve për sezonin e vjeshtës, ndërsa shumica e bizneseve të tekstilit zhvillojnë aksione promocionale, IQMT e konsideron të domosdoshëm intensifikimin e inspektimeve gjatë sezoneve të veçanta të vitit, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së konsumatorëve nga praktikat e padrejta dhe abuzimet e mundshme. Fokus i veçantë gjatë këtyre inspektimeve po i kushtohet verifikimit të çmimeve, përkatësisht nëse produktet kanë çmime të shënuara qartë dhe nëse çmimi i aplikuar në arkë përputhet me çmimin e ekspozuar ose me çmimin e promovuar përmes aksioneve promocionale”, ka njoftuar IQMT.

Inspektimet lidhur me dokumentacionin e biznesit, faturat, deklaracionet dhe çmimet e produkteve të tekstilit do të përfshijnë edhe bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e shitjes online.

“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, në baza ditore, pranon ankesa nga qytetarët, të cilët raportojnë raste të mospërputhjes ndërmjet çmimit të shënuar dhe çmimit të llogaritur në arkë. Për këtë arsye, çdo mangësi apo shkelje e konstatuar gjatë inspektimeve do të trajtohet në përputhje me masat ndëshkuese të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. IQMT, përmes inspektimeve të rregullta dhe aksioneve të veçanta, u garanton konsumatorëve se do të adresojë çdo ankesë të tyre. Ankesat mund të raportohen përmes platformës online për konsumatorë në Viber, në numrin +383 (0) 46 311 000, si dhe përmes adresës elektronike [email protected]”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme