Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës dhe krimet në fshatrat përreth rajonit të Gjakovës, raporton Ekonomia Online.
Ashtu si në seancën fillestare të 16 qershorit 2025, asnjëri nga 53 të akuzuarit nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit. Gjykimi ndaj tyre zhvillohet në mungesë, ndërsa të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Seanca e sotme është mbajtur pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u kishte dhënë kohë shtesë të akuzuarve për t’u paraqitur në seancë. Megjithatë, as këtë herë nuk ka pasur të akuzuar të pranishëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte mbajtur seancën e parë fillestare për këtë rast më 16 qershor 2025. Në atë seancë, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra kishte deklaruar se gjykata nuk kishte informacion për vendndodhjen e të akuzuarve, ndërsa prokurori Ilir Morina kishte bërë të ditur se për ta ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.
Krimi në Mejë dhe fshatrat përreth ka ndodhur në prill të vitit 1999, ku, sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, u vranë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Trupat e viktimave u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Aktakuza është ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe është plotësuar në prill të vitit 2024. Ajo përfshin 53 persona, ndërsa njëri prej të akuzuarve kryesorë është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë, Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.
Sipas aktakuzës, secili prej të pandehurve dyshohet se ka pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij. Aksioni, sipas aktakuzës, ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.
Sipas hetimeve të përfshira në aktakuzë, në Mejë janë vrarë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të figurojnë si të pagjetur. Në Korenicë janë vrarë 64 civilë dhe dy janë të pagjetur, ndërsa viktima dhe persona të pagjetur janë raportuar edhe në Pacaj, Dobrosh, Rracaj, Nec, Ramoc dhe Bishtazhin.Në aktakuzë përshkruhet gjithashtu dëbimi sistematik i banorëve të kësaj zone nga shtëpitë e tyre, plaçkitja dhe djegia e pasurisë, si dhe dhuna fizike dhe kërcënimet ndaj civilëve.
Sipas aktakuzës, kolonat e të dëbuarve ishin të detyruara të kalonin nëpër pika kontrolli në Mejë, Korenicë dhe Orizë, ku forcat serbe dyshohet se ndanë shumë burra nga kolonat dhe i vranë. Të tjerëve, sipas aktakuzës, iu morën dokumentet e identifikimit, paratë dhe sendet me vlerë, para se të detyroheshin të vazhdonin drejt Shqipërisë.
Aktakuza i përfshin këto veprime nën veprat penale të vrasjes, dëbimit të popullsisë civile, plaçkitjes dhe shkatërrimit të pasurisë, të cilat, sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes ishin të parashikuara me legjislacionin vendor të Jugosllavisë së atëhershme.
