Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin e Prishtinës për të pritur vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), reaporton Ekonomia Online.
Një numër i madh qytetarësh kanë kaluar edhe natën në shesh, ndërsa atmosfera është shoqëruar me pritje për vendimin që pritet të shpallet në Hagë.
Nga ora 10:00, në Hagë bëhet i ditur vendimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, si dhe organizatori i natës së pritjes, tha se pjesëmarrja e qytetarëve ishte e madhe.
“Po, unë i falënderoj të gjithë që i janë bashkuar. Ka qenë interesim i madh, ka qenë një pjesëmarrje e madhe. Ka qenë një natë e gjatë. E veçanta e kësaj nate ka qenë që kemi qëndruar të gjithë bashkë me një numër shumë të madh të qytetarëve”, tha Haziri.
I pyetur se çfarë pret nga vendimi dhe nëse mendon se sot do t’u bashkohen edhe më shumë qytetarë, Haziri tha se qytetarët tashmë kanë filluar të vijnë në shesh.
“Po, gjithsesi. Veçse kanë filluar tash me ardhur dhe do ta ndjekim këtu live. Unë pres atë çka e presin të gjithë shqiptarët kudo që janë. Domethënë lirimin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ardhjen e tyre në Kosovë”, u shpreh ai.
Haziri tha se nuk ka një numër të saktë të qytetarëve që kanë kaluar natën në shesh, por theksoi se pjesëmarrja ishte e madhe.
“Nuk e di. Nuk e di, ka qenë një numër i madh. Nuk e di, njerëzit kanë lëvizur, kanë shkuar, kanë ardhur, nuk e di. Por ka qenë një numër i madh i njerëzve të cilët kanë kaluar natën bashkë me mua këtu në shesh”, tha ai.
Duke folur për organizimet e mbajtura në kuadër të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Haziri tha se për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës asnjëherë nuk është bërë mjaftueshëm.
“Për UÇK-në mendoj që asnjëherë nuk është mjaft. Ata Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po e zhvillojnë betejën e fundit të kombit shqiptar, kështu që mendoj që çfarëdo që kemi bërë për ta, edhe çfarëdo që jemi në gjendje me bërë për ta dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk është mjaft”, theksoi Haziri.
Në mesin e qytetarëve që kanë kaluar natën në shesh ishte edhe Milaim Haka. Ai tha se kishte dalë për të pritur vendimin për ish-krerët e UÇK-së.
“Po, ne kemi dalë këtu, presim çlirimin e heronjve tanë. Njerëzve, apo me thënë, pa të cilët e madhe është zemra e UÇK-së, edhe zemra e popullit”, tha Haka.
I pyetur se cili do të duhej të ishte reagimi i Kosovës, Haka tha se beson në fitoren e luftës së UÇK-së.
“Po, reagimi i Kosovës. Mua më merr mendja që, domethënë, lufta e UÇK-së e fiton”, u shpreh ai.
Haka tha se kërkon lirimin e tyre dhe se pret që qytetarët ta festojnë një vendim të tillë.
“Me çdo kusht. Me çdo kusht me i çliru. Edhe sot do të festojmë të gjithë”, tha ai.Pavarësisht kushteve atmosferike, Haka tha se qëndrimi gjatë natës në shesh nuk ishte i vështirë për të.
“Kur jemi me mendime për heronjtë tanë, s’kemi edhe me i takoj kësaj garniture që kemi ndejt natë e ditë ne për vendet tona, për këtë liri, nuk është gjë”, tha Haka.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë në kontakt me organizatat që kanë dalë nga lufta.
“Thirrja ime për qytetarët e Kosovës sot është që të jenë në kontakt me organizatën e dalë nga lufta. Edhe besoj se çdokush ka domethënë afër nesh”, shtoi Haka.
Edhe qytetari Sadik Demolli nga Gjilani tha se presin një vendim lirues.
“Presim një vendim final, vetëm të gëzueshëm. Hiç ndryshe nuk na shkon mendja”, tha Demolli.

