Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në Kuvend nëse thirret seancë për të diskutuar lidhur me vendimin e Hagës, pavarësisht se PDK-ja ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se partia e tij i ka të gatshme 20 nënshkrimet për nisma në Kuvend.
“Ne do të flasim me subjektet politike për seriozitetin e situatës, po sigurisht po qe se vjen e mund të vjen iniciativa ligjore e Kuvendit të Kosovës, normalisht që kemi nevojë edhe për përkrahjen e subjekteve të tjera politike”, tha ai.
Hamza tha se qëndrimet e partisë mund të ndryshojnë në varësi të rrethanave.
“Kur ndërrojnë rrethanat do të ndërrojnë edhe qëndrimet tona. Edhe ndërrojnë prioritetet. Mendoj që prioritet më të madh për këtë situatë nuk ka se sa ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit. Jo veç të atyre personaliteteve ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mbi të gjitha edhe për interesat e shtetit, për historinë, për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e shtetit. Prandaj, në bazë të rëndësisë të rrethanave ne do të sjellim në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend”, tha ai.
Hamza tha se PDK-ja është e gatshme për bashkëpunim me subjektet e tjera politike dhe se nënshkrimet për iniciativa parlamentare janë të gatshme.
“Është mirë që kemi komunikim mes partive politike, mes liderëve të partive politike. Në momentin e parë që përputhen oraret, rrethanat, mundësitë, ne do të takohemi. Jo, PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme. Domethënë i ka 20 nënshkrime janë të gatshme dhe mbarësisht prej nevojave ne do të procedojmë edhe prej situatave të krijuara”, tha ai.
