Mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkesat e protestuesve ishin shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e mbështetja financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së
Protesta u zhvillua me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, ndërsa një nga mesazhet e përcjella nga protestuesit ishte “Jo në emrin tim!”.
Katër kërkesat e protestuesve, në mes tyre shkarkimi i Gërvallës dhe zhbërja e Speciales
Në protestën e sotme të organizuar nga OVL e UÇK-së u lexuan katër kërkesat e protestuesve, për të cilat thanë se ka përgjegjësi edhe për qeveritarët edhe për Presidencën, raporton Ekonomia Online.
Kërkesat e lexuara:
Kërkesa nr.1: Shfuqizim ose ndryshim i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa nr.2: Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla
Kërkesa nr.3: Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UCK dhe kombit tonë
Kërkesa nr.4: Angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë.
Hamza: Protesta s’është e drejtuar ndaj askujt, por në përkrahje të plotë të ish-krerëve të UÇK-së
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza së bashku me deputetët e kësaj partie, i janë bashkuar protestës gjithpopullore në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuara nga shoqatat e luftës, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Në një prononcim për gazetarë ai tha se vendimi dënues i Gjykatës Speciale është i papranueshëm dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.
Hamza tha se kjo protestë nuk është drejtuar ndaj askujt, por është në përkrahje të plotë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Ne jemi për drejtësi, jemi kundër padrejtësisë dhe tash këtë proces, këtë gjykatë çka kemi pa, kemi pa padrejtësi. Ky është një vendim i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, vendim i padrejtë, i pabazuar në fakte, është vendim politik dhe sigurisht ne jemi këtu me shpreh pakënaqësinë tonë. Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqëseve të UCK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për të. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, po, në përkrahje të plotë. Do bëjmë gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por, edhe veprime ligjore . Besoj se sot do të konkretizojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Hamza.
Protesta, e thirrur me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, po mbahet dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët u dënuan, në total, me 81 vjet burgim.
Limaj: Duhet të diskutohet integriteti i gjyqtarëve që gjykuan ish-krerët e UÇK-së

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po merr pjesë në protestën e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Limaj tha se një nga çështjet kryesore që duhet të diskutohet është integriteti i gjyqtarëve që marrin vendime në këto procese. Ai tha se gjyqtari që ka udhëhequr trupin gjykues ka zbatuar urdhra politikë.
“Po e shihni sa i rëndësishëm është integriteti personal i një gjyqtari. Një gjyqtar që hapur ka zbatuar urdhra politikë, ka kryesuar trupin gjykues dhe sot…”
Limaj tha se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet pikëpyetjeve rreth personave që gjykojnë dhe integritetit të tyre.
“Një nga temat kryesore që duhet të diskutohet është pikëpyetja e atyre që gjykojnë, integriteti i atyre që gjykojnë, ndaj një padrejtësie që po bëhet ndaj njerëzve nga njerëz pa integritet. Dhe gjëja e parë që duhet të kërkohet është, kush janë gjyqtarët, integriteti i tyre…”, tha mes tjerash ai.






